​Hoxha: I mituri serb ka pranuar se rrobat i kishte të ngjyrosura me marker të kuq

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se provat lidhur me rastin në veri të Mitrovicës, ku serbët po pretendojnë për përdorim dhune ndaj një të mituri, vërtetojnë se shenjat e shfaqura kinse të gjakosura në pjesët e trupit të një të mituri serb nuk kanë të bëjnë me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

Në një konferencë për media, Gazmend Hoxha tha se i mituri gjatë intervistimit të tij në stacionin policor, ka deklaruar se shenjat me ngjyrë të kuqe ia kanë vendosur shokët e tij me marker, raporton kp

Hoxha tha se është vërtetuar që shenjat me ngjyrë i njëjti i kishte pasur edhe më herët. Duke iu referuar siç thotë ai pamjeve dhe incizimeve shihet se shenjat e tilla me ngjyrë kanë pasur edhe persona të tjera pjesëmarrës.

“Në media të ndryshme është shfaqur një person ndaj të cilit pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtarët tanë policorë. Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të kryer hetimet dhe ekzaminimet e nevojshme, ku janë sqaruar të gjitha rrethanat dhe veprimet e zyrtarëve tanë policorë. Janë evidentuar imazhet e shfaqura të personit në hapësirën e qafës, ku pretendohej se kinse kishte gjak, ka rezultuar të jetë ngjyrë e vendosur nga shoku i tij i klasës. Në këto imazhe është vërtetuar se shenjat me ngjyrë i njëjti i kishte pasur edhe para veprimit apo para intervenimit të zyrtarëve tanë policorë, ku shenjat e tilla me ngjyrë kanë pasur edhe persona të tjera pjesëmarrës në këtë defilim. Po ashtu, edhe në deklaratën e tij zyrtare të vetë palës që e ka dhënë dje në stacionin policor në Mitrovicë, në prezencë të prindit të tij, ka thënë se këto shenja janë me ngjyrë markeri nga shokët e klasës së tij, pasi kjo është një traditë e cila sipas tij përdoret në festat e maturantëve të shkollave të mesme në Mitrovicën Veriore. Vlen të potencohet se gjatë intervistës i njëjti nuk ka poseduar ndonjë lëndim të shfaqur, gjë që dëshmon se ka pasur ngjyrë me mesazhe të caktuara”, theksoi Hoxha.

Hoxha potencoi se gjatë tubimit të maturantëve serbë te pjesa e kafiterive në veri të Mitrovicës, disa pjesëmarrës kanë filluar t’i provokojnë qytetarët me thirrje nacionaliste dhe duke ngritur tre gishtërinj. Ai tha se policia ka ndërhyrë me qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohej.

“Policia e Kosovës sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se aktiviteti në fjalë nuk ka qenë protestë, por, siç ka qenë e bërë e ditur më herët, bëhet fjalë për një defilim të maturantëve të Mitrovicës së Veriut, i cili ishte paralajmëruar paraprakisht dhe në mënyrë të rregullt në Policinë e Kosovës… Në funksion të garantimin të rendit dhe sigurisë publike, Policia e Kosovës, me njësitet e saja të rendit publik, ka qenë e pranishme gjatë këtij aktiviteti për të mbështetur zhvillimin e tij të qetë dhe pa incidente. Gjatë zhvillimit të defilimit, te pjesa e kafiterive, disa pjesëmarrës kanë filluar t’i provokojnë disa qytetarë që kanë qenë ulur në kafiteri, duke thënë ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj. Me qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohet mes nxënësve dhe qytetarëve që kanë qenë në kafiteri, kanë ndërhyrë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij manifestimi”, tha Hoxha.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha u shpreh se pas analizimit të videove, incizimeve dhe fotografive nga ekspertët e forenzikës, është parë se ngjyra në qafën e maturantit ka qenë para veprimet të zyrtarëve policorë dhe se nuk ka pasur asgjë më shumë.

Hoxha tha se njoftimi i djeshëm se ndaj policit D.B është lëshuar një fletarrest është në vazhdën e përpjekjeve dhe përndjekjeve që Serbia ka bërë ndaj policëve tanë duke përshirë edhe ata të komunitetit serb.

Ai tregoi se polici ka pranuar kërcënime në rrjete sociale, të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri.

“Edhe njoftimi i djeshëm se ndaj policit tonë D. B është lëshuar një fletarrest (nga Serbia) është në vazhdën e përpjekjeve dhe përndjekjeve që Serbia ka bërë ndaj policëve tanë duke përshirë edhe ata të komunitetit serb. E gjithë kjo është një përndjekje e policëve tanë dhe kjo propagandë e vazhdueshme e fabrikuar dëshmon nëse Policia e Kosovës është bërë target i sulmeve hibride që burimin e kanë në Beogradin zyrtar… Zyrtari ynë policor ka pranuar kërcënime në rrjete sociale, të cilat menaxhohen nga grupet e serbëve në veri, duke bërë thirrje për vrasjen e tij dhe duke e kthyer atë në një kufomë që kanë thënë ata. Këto kërcënime do të trajtohen seriozisht nga Policia e Kosovës dhe nuk do të lejojmë që policët tanë që të bëhen cak i sulmeve”, tha Hoxhaj.

Kujtojmë, në një tubim të maturantëve serbë në veri të Mitrovicës janë bërë thirrje nacionaliste dhe shoviniste. Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë i Kosovës Xhelal Sveçla gjithë këtë e ka quajtur propagandë të Serbisë.

Back to top button