Prokuroria kërkon redaktimin e disa pjesëve të dëshmisë së dëshmitarit të 125-të në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka propozuar redaktimin e transkriptave të një pjese të dëshmisë së dëshmitarit të 125-të, i cili mbante kodin W04419 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Siç ishte paralajmëruar ndërmjet palëve, në përputhje me procedurën standarde të shqyrtimit dhe pas pranimit të transkriptit zyrtar përkatës, Zyra e Prokurorit të Specializuar (‘ZPS’) dërgoi ndërmjet palëve propozimin e saj lidhur me klasifikimin e transkripteve të dëshmisë së dëshmitarit W04419”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, sipas këtij parashtrimi, më 15 maj 2025, Zyra për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, kishte dërguar përgjigjet e saj, ku kishte thënë se pajtohen me redaktimet e propozuara nga ZPS-ja. Vec kësaj, ata kishin propozuar edhe redaktime të tjera të veçanta.

Në anën tjetër, po më 15 maj 2025, mbrojtësi i viktimave kishte dorëzuar përgjigjen e tij, ku kishte thënë se nuk kanë ndonjë propozim për transkriptin. Kurse, ekipet e mbrojtjes nuk janë përgjigjur në parashtrimin e ZPS-së.

Ky dëshmitar është dëshmitari i fundit që u dëgjua në këtë çështje gjyqësore, e i cili kishte dëshmuar përmes video-lidhjes dhe në seancë të mbyllur për publikun. Dëshmitari i 125-të kishte filluar dhe mbaruar dëshminë më 27 mars 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Back to top button