KPK publikon vetëm pjesërisht raportin vjetor për Prokurorinë e Shtetit, sfidat vazhdojnë

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e sotme vendosi që në mënyrë të pjesshme të publikon Raportin Vjetor të Prokurorit të Shtetit, për shkak të mos-përputhjes së të dhënave në mes të të dhënave individuale të prokurorëve me ato të Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL). Gjatë kësaj mbledhje u paraqit nevoja për shtim të prokurorëve dhe rritje të buxhetit për sistemin prokurorial të Kosovës.
E ky raport u miratua me nëntë vota pro, një kundër dhe një abstenim.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), me rastin e paraqitjes së Raportit Vjetor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi deklaroi se sistemi prokurorial ka pas sukses sa i përket krimit të organizuar. Ai tha se efikasiteti në të gjitha Prokuroritë e Kosovës është mbi nëntëdhjetë për qind.
Kelmendi përmendi si shqetësim numri e lëndëve të pazgjidhura me persona të panjohura.
“Ne kemi pasur sukses bukur të mirë sa i përket krimit të organizuar sa i përket rasteve të ndërlikuara apo si raste të shënjëstuara. Në kuadër të këtyre rasteve janë përfshirë 892 persona, prej 85 prej tyre të akuzuar 44 janë të akuzuar për vepra penale të natyrës korruptive ku janë përfshirë 354 persona, pastaj 41 raste janë të natyrës së rasteve të krimit të organizuar ku janë përfshirë 464 persona. Sot nga këto raste kemi 39 raste që janë të plotfuqishme 12 prej tyre janë ende në shkallë të parë, nga të cilat 34 prej tyre janë në fazën e gjykimit vetëm katër raste janë pushuar…26’59 Marr në përgjithësi efikasiteti i gjithë prokurorëve në të gjitha prokurorit e Kosovës është mbi 90%. Nëse e bëjmë një krahasim ”, tha ai.
Kelmendi teksa paraqiti këtë raport, tha se edhe në vitin 2024, ka pas një dallim të madh në mes të sekuestrimit dhe konfiskimit, ku janë sekuestruar mbi 48 milionë euro, ndërsa janë konfiskuar mbi 2 milionë euro.
Gjatë kësaj mbledhje, Kelmendi përmendi edhe sfidat me të cilat po ballafaqohet sistemi prokurorial me ç’rast përmendi numrin e pamjaftueshëm të prokurorëve, mungesën e buxhetit dhe të tjera.
“Po vazhdon të jetë gjithmonë sfidë për Prokurorinë e Shtetit, buxheti edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të KPK-së për të kërkuar buxhet më të shtuar për të kryer detyrat më mirë dhe me efikasitet dhe ne nuk kemi marrë miratim të këtij buxheti. Tani ka ndryshuar struktura ligjore dhe janë paraparë edhe disa kompetenca shtesë për disa prokurori sepse janë rritur dënimet dhe kompetencat kanë ndryshuar edhe sa i përket Prokurorive Themelore dhe Prokurorisë Speciale. Qeveria ka ndarë mjete për shtimin e numrit të gjyqtarëve dhe ky numër është shumë më i madh sesa i prokurorëve, për fat të keq ne nuk mund t’ia arrijmë të gjitha seancat të cilat gjyqtarët janë duke u caktuar”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit shprehu keqardhje edhe për mungesën e infrastrukturën dhe vetë objekteve për Prokuroritë e Shtetit.
“Ne s’kemi objekte për Prokurorinë e Shtetit sot këtu ku jemi ne dhe mbajmë takim që quhet objekti i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, është me qira, pra nuk kemi objekt,… Nëse nuk ka pas mundësi me pa se ku punon Prokuroria Themelore e Mitrovicës le të shkoj ta shikoj dhe pastaj ta vlerësoj se si mund të jetë efikasiteti dhe cilësia e punës në atë prokurori. Është e dhimbshme që sot prokurorët e Mitrovicës punojnë në kushte jashtëzakonshme të këqija dhe jo normale për një prokurori të shtetit. Në vazhdimësi kemi ligje të reja por nuk kemi zbatim të atyre ligjeve, ashtu siç e ka përcaktuar norma ligjore”, deklaroi Kelmendi.
Anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi tha se edhe caktimit dhe rekrutimi i prokurorëve po bëhet pa analizë të mirëfilltë. Ai përgjegjës për këtë e bëri edhe vetë KPK-në.
“Kur po caktohen dhe rekrutohen prokurorët nëpër prokurori, nuk po ka një analizë të mirëfilltë të shpërndarjes së prokurorëve, pajtohem se ka mungesë të prokurorëve e kam thanë kudo që më është dhënë mundësia, mirëpo edhe Këshilli e bartë një përgjegjësi sepse shpërndarja e prokurorëve dhe rekrutimi duhet t’i ketë fokus prokuroritë që kanë ngarkesë”, tha Krasniqi.
Deklarimin e Krasniqi e ka quajtur të pavërtetë, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj.
“Nuk është e vërtetë ajo që u tha se nuk është bërë analizë e duhur dhe nuk është shpërndarë numër i saktë nëpër Prokurori sepse nevojat janë më të mëdha dhe edhe tha edhe vetë kryeprokruroi se një prej sfidave më të mëdha është se nuk na është lejuar asnjë pozitë e re për rekrutim në mënyrë që me arrit që secili prokuror me përfaqësua edhe në gjykime”, tha ai.
Në këtë mbledhje u paraqit si shqetësim edhe mospërputhja e raporteve për të dhënat individuale për secilin prokuror. Për çka u vendos që edhe raporti i punës i Prokurorit të Shtetit për vitin 2024 të publikohet në ëeb faqe vetëm pjesërisht dhe jo i plotë.
“Andaj të dhënat të cilat janë individuale për prokurorët veç e veç dallojnë nga të dhënat që janë të marra nga SMIL nga njësiti për vlerësimin e performancës për të mos krijuar konfuzitet për të thënë pse SMIL thotë 10 e prokrurorët 11 kam konsideruar që kjo të diskutohet nga Këshilli çka duhet me bë me këtë pjesë“, tha Kelmendi.
Në mbledhjen e Këshilli Prokurorial i Kosovës u paraqit edhe raporti i Komisionit Ad Hoc për mbikëqyrje për korrupsion dhe krimet ekonomike, prokurori në Prokurorinë e Apelit, Arben Ismajli, për çka theksoi se edhe te ky raport ka një mos-përputhje të të dhënave.
Sipas prokurorit, Ismajli në vitin 2024 Prokuroria e Apelit ka pranuar 152 lëndë të korrupsionit, prej tyre 93 lëndë janë refuzuar.
“Gjatë vitit 2024 Prokuroria e Apelit ka pranuar 152 lëndë me lëndë të korrupsionit, prej tyre 93 lëndë janë të refuzuara, 46 janë të aprovuara, të hedhura si të palejuara ose të pasafatshme janë tetë lëndë dhe të anuluara janë 5 lëndë“, tha ai.
Përgjegjësi se pse ka numër kaq të madh të lëndëve të refuzuara kërkoi zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jehona Grantolli.
Prokurori, Ismajli tha se si komision nuk kanë kompetenca që të merren me vlerësim të performancës.
Edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdari kërkoi të di pse ka rënie të efikasitetit për trajtimin e lëndëve nga 56% sa ishte në vitin 2023 në 37% vitin e kaluar.
Për këtë, prokurori i Prokurorisë së Apelit, Arben Ismajli u arsyetua duke thënë se avancimet e prokurorëve kanë ndikuar në rënien e efikasitetit.
“Çështja e rënies së efikasitetit në trajtim të këtyre lëndëve kemi pas lëvizje të shpeshta të prokurorëve, sidomos në vitin 2024 kur ishte avancimi i pesë prokurorëve nga Prokuroria Themelore e Prishtinës në atë Speciale, por edhe avancimi nga departamenti i përgjithshëm në departamentin për krime të rënda në Prishtinë“, theksoi ai.
Në fund me nëntë vota për dhe dy abstenime u votua raporti i Komisionit Ad Hoc për mbikëqyrje për korrupsion dhe krimet ekonomike./kp