Beqiri: Deklarata Kurtit për protestën e bizneseve, flet për marrëveshje të heshtur Qeveri- ZRRE

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Lulzim Beqiri i tha RTV21 se deklaratat e kryeministrit në detyrë lidhur me bizneset që protestuan gjatë ditës, lë të kuptohet se qeveria dhe ZRRE-ja kanë pasur një marrëveshje të heshtur për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe liberalizimin e tregut energjetik.
“Kompanitë prodhuese që kanë qarkullim më të madh janë vërtetë 1%, por përbëjnë 40% të qarkullimit në Kosovë dhe kanë 70 mijë punëtor dhe janë zemra e ekonomisë së Kosovës, duke mos anashkaluar prodhuesit e vegjël por ata që kanë qarkullim më të madh e bëjnë diferencën. Prandaj kjo qasje e institucioneve veç e vërteton faktin se është bërë në koordinim të heshtur rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe dalja në tregun e hapur, për faktin që nuk ka reagim zyrtar por veç deklarata se do të mbështetet prodhuesi vendor ndërsa ende nuk ka një paketë ndihmëse dhe kjo më shqetëson jashtëzakonisht shumë sepse biznesi është pothuajse në prag të kolapsit dhe pjesa më e madhe e tyre po tentojnë të largohen nga Kosova.
Beqiri duke komentuar deklaratat e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili krahasoi protestat e bizneseve me barrikadat në Veri, tha se qëllimi i Kurtit është që t’i degradojë bizneset.
“Top prodhuesit që qarkullojnë në Kosovë, po përballen me një fushatë të egër sidomos ndaj Devollëve, por pjesa më e madhe e prodhuesve në Kosovë nuk kanë të bëjnë me Devollët, dhe qëllimi i tij është me e degradu biznesin prodhues në Kosovë, por shqetësuese është fakti se në Kosovë kemi një import kaq të madh dhe pothuajse kemi thyer rekord në këtë çështje dhe tash biznesi po ballafaqohet edhe me energjinë elektrike. Prandaj nuk ka një krahasim mes barrikadave në veri të cilat kishin për qëllim paralizimin e jetës në Kosovë dhe protestat e bizneseve që po tentojnë ta mbrojnë vetën. Sepse rritja kaq e madhe e kostos së prodhimit është shqetësuese për bizneset madje i bëjë thirrje t’i vazhdojnë protestat sepse ZRRE ka vendosur të mos komunikojë me publikun dhe krye në vete po rritë çmimin e energjisë elektrike që do ta determinojë ekonominë e vendit. Është jashtëzakonisht shqetësuese se si ZRRE po merr përsipër degradimin e ekonomisë së vendit.”, tha ai./21Media