Osmani: Në Kosovë s’flasim për paqen nga distanca, gratë e kanë ndërtuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në edicionin e tretë të Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka paraqitur gratë dhe vajzat shqiptare si ndërtuese të paqes në etapa të ndryshme kohore, veçanërisht pas mbijetesës së luftës së fundit në Kosovë me shumë humbje.
“Vetëm dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi kanë qenë dëshmitarë të tmerrit që asnjë fëmijë nuk duhet as ta shoh, nënat kanë humbur dhe varrosur fëmijët e tyre si rezultat i luftës. Në kohën më të keqe të vendit, kanë qenë gratë e këtij shteti që kanë mbajtur zemrat tona bashkë. Ato kurrë s’kanë pranuar të shihen si viktima, por si ndërtuese të paqes. Nuk kanë menduar vetëm për lirinë tonë, por për drejtësinë, dinjitetin dhe të ardhmen që ia vlen të jetohet. Ato po vazhdojnë ta bëjnë këtë në çdo ditë që kalon edhe sot”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se paqja nuk nisë kur ndalen armët, por kur nis transformimi, kur mundësia shndërrohet në prosperitet.
“Ne në Kosovë nuk flasim për paqen nga distanca, ne folim për paqen nga pesha e memories dhe me një ndjenjë frike për pikësynimet, dhe me përgjegjësi të thellë për ta përçuar mesazhin ‘kurrë më, kurrë më”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur për rëndësinë e investimeve në fëmijë, si garancë për një të ardhme të sigurtë dhe mos përsëritje të luftës si në të kaluarën. Osmani ka shtuar se duhet të ngrihet zëri i atyre që lufta ka tentuar t’i ndal, të ndërtohet një e ardhme që ka për bazë empatinë dhe jo egonë njerëzore.