Ndalohet importi i deleve e dhive nga Shkodra e Kukësi në Kosovë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masën e ndalesës së pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël dele dhe dhi nga regjioni i Shkodrës dhe Kukësit në Shqipëri, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Peste des Petits Ruminants.

Autoritetet kufitare do të shtojnë masat e kontrollit në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së kësaj sëmundjeje në territorin e Republikës së Kosovës. Peste des petits ruminants, e njohur zakonisht si murtaja e deleve. Sëmundja infekton kryesisht ripërtypësit e vegjël si dhitë dhe delet.

Sëmundja transmetohet kryesisht nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë, burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet e kafshëve të sëmura.

Shenjat klinike të sëmundjes janë: temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje.

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet asnjë rrezik për shëndetin publik.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunim me autoritetet tjera, do të ndjekë situatën me seriozitet dhe përveç masave paraprake preventive do të informojë fermerët dhe publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo ndryshim të situatës.

Back to top button