SHBA-ja falënderon Kosovën për dakordimin për të pranuar migrantët e dëbuar

E Ngarkuara me Punë pranë Ambasadës amerikane në Prishtinë Anu Prattipati, ka falënderuar sot Kosovën si vendi i parë që ka shprehur gatishmërinë për të pranuar shtetasit e vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit partneres tonë, Kosovës, vendit të parë në Evropë që njoftoi pranimin e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga Shtetet e Bashkuara. Sigurimi i kufirit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një përparësi kyçe e administratës Trump dhe unë e vlerësoj shumë, si qeverinë, ashtu edhe popullin e Kosovës, për partneritetin e tyre”, thuhet në një postim të Ambasadës amerikane në platformën iks, raporton kp.

Kujtojmë, Qeveria në detyrë më 11 qershor vendosi të ofrojë mbrojtje të përkohshme për pesëdhjetë persona, në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Personat subjekt të këtij vendimi, gjatë kohës së qëndrimit në vendin tonë, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.