350 rekrutë i bashkohen FSK-së, Kurti: Ushtarët tanë të pathyeshëm, integriteti territorial i paprekshëm

Nga sot edhe 350 rekrutë ushtarak i janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në ceremoninë e betimit të ushtarëve të rinj që i takojnë gjeneratës së dytë për vitin 2025 morën pjesë përfaqësues shtetëror të cilët thanë se ushtarët e Kosovës janë të pathyeshëm, e sovraniteti e integriteti territorial i paprekshëm.
E ndonëse temperaturat e larta po mbretërojnë në vend, familjarët nuk i pengua kjo që të ishin të pranishëm në palestrën sportive “Bill Klinton”, në Ferizaj për të parë nga afër ceremoninë e betimit të të afërmve të tyre.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ushtria e Kosovës me hapa të shpejt po ec drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale me përbërje multietnike.
Kurti tha se FSK është e furnizuar më shumë se kurrë me arsenal ushtarak.
“Ushtria jonë është e furnizuar më shumë se kurrë me arsenal ushtarak, sisteme armatimesh nga më modernet, gjersa pritet qe brenda dy vitesh të ndërtohet fabrika e parë shtetërore për prodhimin e municioneve… Ushtria e Kosovës me hapa të shpejt po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale me përbërje multietnike. Ëndrrën e gjithë atyre që sakrifikuan për liri sot po e jetësoni ju rekrutë të dashur. Ushtria e Kosovës e ngritur mbi sakrificën e dëshmorëve në ballë të të cilëve është kryekomandantit legjendar, Adem Jashari e një simbiozë perfekte edhe me doktrinat e vendeve anëtare të NATO-së ka arritur nivelet e një ushtrie profesionale të ndërveprueshme ushtritë e vendeve partnere”, tha ai.
Kurti iu drejtua rekrutëve të rinj duke iu thënë se tashmë kanë përvetësuar themelet e artit të luftës.
Ai shtoi se përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët e Kosovës janë të pamposhtur, ndërsa sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm.
“Gjersa bota po përballet me kërcënime nga më të ndryshmet shteti ynë ka thelluar bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët tanë strategjik… Përballë armikut a çfarëdo kërcënimit të paqes a sigurisë më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por ushtria e Kosovës me shumë të rinj dhe të reja që si ju ballë hapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sy patrembur në krahë. Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm”, tha ai.
Komandanti i doktrinës dhe stërvitjes, Jeton Dreshaj tha se tani e tutje rekrutët e rinj do të shërbejnë në ruajtjen e paqes dhe integritetit territorial të vendit.
Sipas tij ushtarakët e betuar sot me përkushtim e disiplinë përfunduan me suksese trajnimin bazik stërvitor.
“Me përkushtim, guxim dhe disiplinë kanë përfunduar me sukses trajnim bazik ushtarak… Përmes këtij trajnimi keni dëshmuar vendosmërinë tuaj për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës duke kontribuar ne ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe integritetit tonë territorial ju tani jeni pjesë e një force moderne dhe gjithnjë më të përgatitur për sfidat e kohës… Prej sot ju mbani mbi supe jo vetëm uniformën e FSK-së por edhe besimin e një populli të terë që pret nga ju profesionalizëm, etik dhe përkushtim”, tha ai.
Rekruti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Erion Musliu deklaroi se e kaluara e vendit e ka shtyrë atë t’i bashkohet ushtrisë së Kosovës.
“Është një ndjenjë shumë e mirë jeta e ushtarit është jetë e mirë dhe misionin është të vazhdojmë përpara qëllimi që kam aplikuar në FSK është e kaluara dhe historia e vendit tim për te cilën këtë uniformë qe ne e kemi shumë pjesëtar të mëhershëm kanë derdhur shumë gjak që ne me qenë krenar”, tha ai.
Edhe ushtarja, Rina Doroci nga Mitrovica tha se koha e stërvitjes ka qenë motivuese për të mos u dorëzuar.
“Është ndjenjë shumë e mirë me qenë pjesë e Forcës së Sigurisë se Kosovës kam kaluar shumë mire në stërvitjen ushtarake bazë për motivimin dhe gjithçka që kanë dhënë instruktorët tanë që ne mos e u dorëzua”, tha ai.
Sot si ushtar i ri u betua edhe Brahim Koca djali i veteranit të luftës, Vesel Koca i cili ndihet krenar që djali i tij e vazhdoi rrugëtimin për mbrojtjen e atdheut.
“Shumë emocionuese i uroj sukses këtij dhe gjithë shokët të tij e paçin fatin dhe shëndetin që t’i shërbejnë atdheut… Unë jam veteran i luftës, babain e kam të vrarë në luftë deshti zoti djali i përfundoi me sukses testet u pranua”, tha ai.
Në këtë ceremoni të certifikimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës u ndan mirënjohje edhe për rekrutët, instruktorët dhe togerët e dalluar.
Në muajin mars betimin si ushtarë e bënë edhe gjenerata e parë për këtë vit e cila numëronte 344 rekrutë. /kp