Yamal paditet për shkak të mënyrës se si e festoi datëlindjen

Futbollisti i Barcelonës, Lamine Yamal, është përballur me kritika të ashpra dhe një denoncim zyrtar nga Shoqata e Personave me Akondroplazi dhe Displazi të Tjera Skeletore me Xhuxhizëm (ADEE), pas organizimit të një feste luksoze për ditëlindjen e tij të 18-të, ku thuhet se kishte punësuar persona me xhuxhizëm për argëtim.
Sipas ADEE, një veprim i tillë përbën shkelje të Ligjit të Përgjithshëm për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, i cili ndalon përdorimin e personave me aftësi të kufizuara në shfaqje apo aktivitete që i vendosin ata në pozita talljeje, përqeshjeje ose përbuzjeje.
“Është e papranueshme që në shekullin XXI persona me xhuxhizëm të përdoren si argëtim në festa private. Kur një figurë publike si Lamine Yamal promovon këto praktika, pasojat janë edhe më të dëmshme për shoqërinë”, tha Carolina Muñiz Puente, presidente e ADEE.
Festa u zhvillua në Masia Alcazar del Garraf dhe morën pjesë rreth 250 të ftuar, përfshirë shumë figura të njohura nga bota e muzikës dhe sportit, si piloti i Formula 1 Charles Leclerc dhe këngëtarët Bad Gyal, Duki, Nicki Nicole, Morad e të tjerë. Edhe pjesa më e madhe e skuadrës së Barcelonës ishte e pranishme, ndonëse nuk qëndruan gjatë për shkak të angazhimeve mjekësore të nesërmen.
Lamine Yamal, i cili sapo ka hyrë në moshën madhore, shihet si kandidati kryesor për të trashëguar fanellën me numër 10 te Barça, pas largimit të Ansu Fatit drejt Monakos – një fanellë e ngarkuar me simbolikë që dikur u mbajt nga Lionel Messi.