S’ka konstituim, veç dështim!

(Lajm i përditësuar)
Kadrijaj për komisionin për votim të fshehtë: Ne e propozojmë nomadin Albin Kurti
Deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj, e dha emrin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti kur u kërkua propozimi i kësaj partie për anëtar të komisionit për votim të fshehtë.
Kadrijaj e quajti Kurtin nomad.
“Ne si Aleancë e propozojmë nomadin Albin Kurti”, tha ajo.
Pas këtij deklarimi të Kadrijajt, Dehari tha që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit.
“Ju lutem mos e keqpërdorni foltoren”, tha Dehari. /21Media
Edhe një dështim për konstituimin e Kuvendit
Të martën ka dështuar përpjekja e 47-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
“Seanca e radhës do të mbahet pas 48 orësh, përkatësisht të enjten në orën 11”.
Në sallë ishin 105 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për asnjë kundër dhe asnjë abstenim. /21Media
Dehari ia ndal mikrofonin Hoxhës, por ajo “flet” me letra
Kryesuesi i seancës Avni Dehari ia ka ndalur mikrofonin deputetes së PDK-së Eliza Hoxhës e cila i kërkoi atij të qëndrojnë në rendin e ditës dhe nuk propozoi anëtar për kryetar të komisionit për votim të fshehtë. Hoxha zgjodhi që të “flasë me letra”.
Ajo mbante në duar letra ku shkruante:
Respektoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kthehuni në rendin e ditës.
Kosova nuk mund të mbahet peng për një emër
As për një komision për votim të fshehtë
Ju lutem thirrni arsyes
Mos cenoni demokracinë
Mos e mbani peng Kosovën /21Media
Dehari ia ndalë fjalën edhe deputetit të LDK-së
Kryesuesi i Seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ia ka ndalë fjalën deputetit të LDK-së, Anton Qunit, teksa i njëjti ishte duke mbajtur një deklarim para deputetëve lidhur me situatën në vend.
“ Të nderuar deputetët, për Kosovë krijimi i unitetit politik nuk është utopi, por një domosdoshmëri për të adresuar rreziqet aktuale.”, tha Quni, teksa Dehari kërkoi që t’i ndalet fjala.
“Regjia ju lutem ta ndërpresë telefonin“, tha shkurt Dehari. /21Media
Fillon seanca e 47-të për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e 47-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. /21Media
Deliu: Nuk shoh dritë në fund të tunelit, s’ka reflektim të LVV-së
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu i tha RTV21 se bllokada në Kuvend tha se është situatë e përsëritur pavarësisht thirrje të zyrtareve të BE-së, dhe atyre të SHBA-së.
“Përderisa flasim për një mungesë të marrëveshjes politike edhe situata rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese 30 ditshi po përmbyllet së shpejti unë ende nuk shoh ndonjë dritë në fund të tunelit sa i përket situatës së Kuvendit …nuk do të ketë zhbllokim të kësaj situate sepse nuk shoh ende një reflektim të koalicionit që ka marrë numër më të madh të ulëseve “, u shpreh ajo./21Media
Limaj për takimin me Kurtin: Kemi pi kafe, dhe do të pimë
Kryetari i Nismës, Fatmir Limajn ka deklaruar shkurt për RTV21 se do të pi kafe me kryeministrin në detyrë, njëherësh edhe kryetar i LVV-së, Albin Kurtin.
“Kemi pi kafe, do të pimë po do të pimë”, tha shkurt Limaj.
I pyetur për detaje lidhur me këtë takim Limaj nuk u përgjigj më shumë. /21Media
Bajqinovci: Opozita po e shkel Kushtetutën
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci tha se partitë tjera po e shkelin Kushtetutën.
“Ata të cilët nyuk votojnë e shkelin Kushtetuën është në aktgyjim dhe besoj se opozita po e shkel Kushtetuën”,, u shpreh ai para mediava para seancës plenare./21Media
Demaku i pyetur për ndonjë koalicion me VV-në: Dihen qëndrimet e PDK-së në aspektin zyrtar
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku para fillimit të seancës së 47-të për konstituimin e Kuvendit, ai tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të qëndrojë qëndrimin.
“LVV duhet të ndryshojë qëndrimin sepse ne jemi brenda aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe PDK do të qëndrojë konsistent sa i përket kësaj çështje”, tha ai.
I pyetur për ndonjë koalicion në mes PDK-së dhe LVV-së, Demaku tha se qëndrimet e PDK-së dihen në aspektin zyrtar dhe i njëjti tha se qëndron brenda këtyre qëndrimeve. /21Media
Zemaj: LVV-ja nuk do marrëveshje politike
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj para seancës plenare të Kuvendit tha se Vetëvendosje nuk dëshiron marrëeshje politike.
“Siç duket dëshiron që më këtë numër të votave të ketë edhe kryetarin e Kuvendit edhe Qeverinë e ardhshme të Kosovës”, tha ai./21Media
Mustafa: Ndryshimi i formës së votimit në mënyrë arbitrare nga Dehari është i papranueshëm
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa për RTV21 ka thënë se ndryshimi i formës së votimit i rendit të ditës së seancës konstituive në mënyrë arbitrare nga Dehari është i papranueshëm.
Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit e ka qartësuar këtë gjë e cila sipas tij nuk lejohet një praktikë e tillë.
“Besoj që e kemi bërë të qartë për LDK-në, ndryshimi i formës së votimit pra ndryshimi i rendit të ditës së seancës konstituive në mënyrë arbitrare nga kryesuesi i saj nga Dehari është i papranueshëm dhe jemi të mendimit që Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj të fundit e ka qartësuar këtë gjë, nuk lejohet një praktikë e tillë”, ka thënë ai. /21Media
Bogujevci këmbëngul se Kushtetuesja e përcakton edhe votimin e fshehtë
Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci në një prononcim për media para seancës së 47-të për konstitumin e Kuvendit fajësoi partitë e tjera për bllokim , pasi që sipas saj nuk po votojnë.
Më tej tha se nuk ka asnjë veprim nga opozita.
“Edhe kjo që po thirret se Albulena nuk është duke u votu nuk është e vërtetë, dmth kanë kalu një numër i madh i seancve ku opozita nuk e voton për komisionin zgjedhor, kjo është formë demokratike e përcakton akvendimi i Gjykatës Kushtetuese edhe të hapur edhe të fshehtë”, tha ajo./21Media
Haxhiu konfirmon se do të ketë takime me Fatmir Limajn
Kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pret ndryshime as sot në seancën e 47-të konstituive.
Haxhiu konfirmoi se do të ketë takime të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn.
Ajo u shpreh se të dyja palët kanë vullnet për bashkëpunim.
Ndërkaq në pyetjen se nëse Limaj do këmbëngulte për kryeparlamentar, Haxhiu ka thënë shkurt: “Tashmë VV-ja ka dhënë qëndrimin, propozimin. Duke qenë se është emri im në kandidaturë, nuk mund të them më shumë”, tha ndër të tjera ajo para mediave sot. /21Media
Sot vazhdon seanca konstituive
Të martën, 15 korrik, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Deputetët do të mblidhen për të 47-n herë në përpjekje për të proceduar me votimin.
Në Kuvend po bëhet përpjekje fillimisht të formohet komisioni për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, të cilin po e kundërshtojnë partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së në shenjë proteste në disa seanca të fundit kanë mbajtur fjalime nga foltorja e Kuvendit pas përfundimit të seancës konstituive.
Lëvizja Vetëvendosje për disa herë nuk ka mundur të sigurojë votat për kandidaten për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu. Ndërsa, partitë e tjera e kanë kundërshtuar këtë propozim dhe kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë emrin e kandidatit.