Rreziku nga spiunazhi, gjashtë arrestime nga Policia e Kosovës për dyshime spiunazhi në favor të BIA-s

Polici Bojan Jevtiq, i arrestuar për spiunazh në shërbim të BIA-s serbe, dyshohet se ka ndarë informacione të ndjeshme dhe një plan sekret të sigurisë pas sulmit në Banjskë. Ushtaraku në pension, Hysen Gecaj, thotë se institucionet në Kosovë kanë nevojë për një kontroll të rreptë për punonjësit e institucioneve.

“Fatkeqësisht nuk është i vetmi, ka të tillë nëpër shumë institucione të Kosovës….”, ka thënë Gecaj për rtv21

Jevtic është personi i 6-të i cili është arrestuar lidhur me veprën penale të spiunazhit. Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, thotë se cenimi i sigurisë së Kosovës po vjen në një kohë kur Kosova është pa institucione.

“ Vlen të thuhet se, këto arrestime po ndodhin në një kohë kur nuk kemi kuvend të konstituar, kemi një qeveri në detyrë, ndërsa pervëç cenimit të situatës së sigurisë, në Kosovë po cenohet edhe siguria ekonomike….”, ka deklaruar Elezi për rtv21

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në fund të majit kanë marrë informacione specifike për veprime të planifikuara nga Serbia për destabilizim në kufi me Kosovën. Ajo tha se menjëherë i ka informuar institucionet e sigurisë në vend dhe aleatët ndërkombëtarë, duke kërkuar mbështetje për të ndalur përshkallëzimin e situatës. Por ushtaraku Gecaj thotë se këto deklarata ishin më shumë në nivel të spekulimeve duke i lidhur ato me mos konstituimin e Kuvendit.

“ Nuk është hera e parë dhe nuk është e pazakont në Kosovë. Ju e keni edhe rastin e kryeministrit që Serbia po na kërcënon vazhdimisht. Por, kërcënimi është permanent. Po të kishte rrezik të drejtë për drejtë je i obliguar si kryeministër dhe president t’i ndërmarrësh disa hapa kushtetues. Cilat janë ata hapa, thirrja e këshillit të sigurisë nacionale dhe pastaj qendra e situatave të sigurisë ku duhet të thirren të gjitha Agjencitë e sigurisë së Kosovë por edhe ato ndërkombëtare të cilat kanë obligime në Kosovë që është KFOR-i në këtë rast, këshut është vepruar në të kaluarën. Sa herë që ka pas këso zhvillimesh dhe janë bërë sygjerime se si të veprohet. Por tani më spo ndodh kjo thjeshtë deklarohet se ka diçka të tillë të nesërmën më nuk dëgjohet asnjë fjalë për këtë çështje”, ka deklaruar ai.

Presidenti Trump kohëve të fundit në një numër rastesh e ka përmendur se e ka parandaluar një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë. Dje presidentja Osmani sqaroi se nuk ka keqinterpretuar deklaratën e presidentit Trump siç pretendonte emisari Grenell porse ka vlerësuar punën e presidentit Trump për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon dhe botë. /RTV21/21Media

Back to top button