Ndërpritet seanca , edhe sot dështoi konstituimi i Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Ndërpritet seanca , edhe sot dështoi konstituimi i Kuvendit
Kryesuesi i Kuvendit Avni Dehari ka ndërprerë seancën, kjo pasi që fillimisht ndëpreu fjalën e deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu. Kjo e fundit u përplas me Deharin duke i kërkuar edhe atij të mos flasë dhe ia largoi mikrofonin.
Nuraj i PDK-së thotë se e voton Limajn për kryetar të Kuvendit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, është shprehur se do të votonte Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“PDK e voton Fatmir Limajn duke e ditur se ai është më i devotshëm dhe ka dinjitet se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne kemi një qëndrim se vetëm ministrat nuk do t’i votojmë. Fatmir Limaj do të e meritonte votën e PDK-së”, tha ai.
Haradinaj: Angazhimi i presidentes tani e ndryshon gjendjen
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj deklaroi se kërkesa e presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme që të ndalohet rrjedhja e afatit për konstituim të Kuvendit e ndryshon gjendjen.
Para fillimit të seancës, e cila është përpjekje e 51-të për konstituim të Kuvendit tha se kjo mbetet e vetmja shpresë, meqë siç shtoi sot nuk pret ndryshim.
“Jemi edhe pak ditë para se të përmbyllet afati i 30 ditëve, ajo që ndodhi me angazhimin e presidentes tani e ndryshon gjendjen. Ekziston mundësia e pauzës ose ngrirjes së afatit 30 ditor, që do të thotë që na mbesin pak ditë në mënyrë që të gjeturat e reja të Gjykatës Kushtetuese të mund të zbatohen brenda afatit 30 ditor kurdo që krijohet mundësia e vazhdimit. E nëse është kështu e vetmja shpresë mbetet kjo sot nuk shoh ndryshim, jemi detyruar të vijmë sepse e kemi përgjegjësi por sikurse e shihni gjendja nuk është e mirë”, deklaroi ai.
Ai angazhimin e presidentes Osmani e konsideroi të nevojshëm.
“Tani besoj që ky angazhim është i nevojshëm. Kanë qenë dy opsione, një që të lejohet të kryhet krejt afati 30 ditor e pastaj me u kyç presidentja që do të ishte çka pastaj. Mendoj se kjo e ka edhe këtë përparësi sado që mund të kemi mendime të ndryshme që na i fiton disa ditë. Disa ditë të afatit 30 ditor që do të kishin mundësi të shpenzoheshin tani mund të ruhen që t’i kemi në të ardhmen kurdo që krijohet mundësia”, shtoi ai.
Çitaku për arrestimin e ushtarit të UÇK-së: MPJD duhet të ishte në funksion të qytetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se misionet diplomatike duhet të jenë më të angazhuara për lirimin e ish-ushtarëve të UÇK-së nga autoritetet serbe. Ajo pas raportimeve se është arrestuar Lulzim Halili, tha se ky nuk është rasti i parë, dhe se të njëjtit nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe.
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Çitaku u shpreh se liria e lëvizjes duhet të jetë e garantuar, teksa kërkoi aktivizimin e misioneve diplomatike.
“Sigurisht që ne i ndjekim, e kemi parë dhe është lajm jashtëzakonisht shqetësues. Fatkeqësisht kjo tashmë është shndërruar në lajm të rregullt, sepse nuk është rasti i parë ka edhe ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen tash e disa muaj nëpër burgjet e Serbisë. Qeveria e Republikës së Kosovës, kjo në largim duhet të jetë shumë më aktive. Misionet tona diplomatike duhet të jenë shumë më të angazhuara në mënyrë që të vihen në funksion mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe, si njerëz pa institucione, si njerëz për fatin e të cilëve nuk brengoset askush”, deklaroi ajo.
Ajo kritikoi Ministrinë e Punëve të Jashtme, për çka tha se në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme, siç u shpreh Çitaku, duhet të jetë në funksion të qytetarëve.
“Ministria e Punëve të Jashtme në vend se të merret me beteja të vogla të brendshme do të duhej të ishte në funksion të qytetarëve të Kosovës. Ata nuk janë njerëz pa atdhe, duhet të trajtohen më me dinjitet”, shtoi ajo.
Gjatë ditës së djeshme është arrestuar ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lulzim Halili, nga autoritetet serbe në Serbi. Sipas Novosti-it, ish-luftëtarit të UÇK-së iu caktua masa e ndalimit prej 48 orëve nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës./kp
Rashiq: E votoj, këdo që propozon Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit
Deputeti Nenad Rashiq i tha RTV21 para seancës së Kuvendit u shpreh optimist se deri në fund të javës do të ketë bashkëpunim mes Vetëvendosjes dhe Nismës.
Ai madje shtoi se ka votë për Fatmir Limajn nëse propozohet për Kryetar Kuvendi.
“Në bazën e vendimit të Kushtetueses së vitit 2014 , pasi që partia e parë ka të drejtë ta propozojë kandidatin, kushdo që vjen e propozon Vetëvendosje unë do ta votoj, sepse është minimum i përgjegjësisë politike dhe institucionale”, tha ai./21Media
Brahimaj për Kurtin e Vuçiqin: Po ia mbjnë zhagin njëri-tjetrit për të qëndruar në pushtet
Deputeti i AAK-s, Lah Brahimaj para seancës së Kuvendit komentoi arrestimin një pjesëtari të UÇKs-së në Serbi.
“Kjo është një lojë taktike e Serbisë, sa herë që Vuçiq ka trazira në Serbi ndodh një arrestim në Kosovë dhe anasjelltas, duket se këta po ia mbajnë zhagin njëri tjetrit për të qëndruar në pushtet”, tha ai.
Po ashtu porositi ish ushtarët e UÇK-së të mos kalojnë nëpër Serbi./21Media
”Oferta për Nismën ka qenë bukur gjeneroze”, Peci: Këtë javë mund të krijohet situatë e re
Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci është shprehur optimist se gjatë kësaj jave mund të ketë formim të institucioneve. Ai tha se oferta e kryeministrit në detyrë për kreun e Nismës ka qenë gjeneroze që ata të marrin pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme.
Deputeti, Faton Peci para fillimit të përpjekjes së 51-të të konstituimit të Kuvendit tha se ka diskutime të vazhdueshme mes Kurtit dhe Limajt.
“E di që ka diskutime të vazhdueshme, unë dua të besojë çdo herë vi me qëllimin pozitiv dhe dua të jem optimist se kjo javë mund përfundimisht që të krijojë një situatë të re ku ne do të kemi kuvend dhe qeveri. Mendoj që gjithë ata që i kontribuojnë kësaj, secili deputet individualisht edhe secila parti politike i kontribuon Kosovës…Dikush thotë që shpresa vdes e fundit, unë them shpresa nuk vdes kurrë. Kështu që shpresë çdo herë duhet me pas dhe mendoj që me aq sa ne kemi informacione oferta e kryeministrit për Nismën ka qenë bukur gjeneroze për mundësinë që ata të marrin pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme dhe për të dhënë kontributin, idenë e vizionin dhe programin për çfarë kanë konkurruar në zgjedhjet e fundit…Bëhet fjalë për disa pozicione”, deklaroi ai.
Ai e ka quajtur pozitive kërkesën e presidentes, Vjosa Osmani për masë të përkohshme për ndalimin e rrjedhjes së afatit për konstituim të kuvendit.
Bahtiri: Bashkimi i opozitës e ka një qëllim, ndarjen e Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka thënë se bashkimi i partive që deri tani ishin në opozitë e ka qëllim ndarjen e Kosovës,
“Bashkimi i opozitës e ka një qëllim për ndarjen e Kosovës siç e ka pasur plan. Kjo nuk do të arrihet asnjëherë sa të jemi gjallë”, tha ai.
Para seancës së kaluar deputeti Bahtiri ka deklaruar se ka informacione se PDK dhe LDK pritet të bëjnë koalicion qeveritar për të krijuar shumicën parlamentare të ardhshme.
Mirëpo një gjë e tillë është mohuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
LVV në pritje të përgjigjes së Nismës
Kandidatja për kryetare të Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se janë duke pritur përgjigje nga Nisma Socialdemokrate për ofertën për bashkëqeverisje.
Ajo duke hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e 51-të për konstituim të legjislaturës së nëntë, tha shkurt para mediave se ia kanë dërguar ofertën Nismës Socialdemokrate për koalicion qeverisës, derisa po presin përgjigjen e tyre, duke mos dhënë detaje shtesë.
“Po presim, ia kemi dërguar ofertën”, tha ajo.
Lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, është takuar fundjavën e kaluar me kryetarin e Nismës./kp
Përpjekja e 51-të për konstituimin e Kuvendit
Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të mërkurën, për herë të 51-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Vazhdimi i seancës konstrituive do të fillon në orën 11:00.
Të shtunën ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar dje nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.
Në votimin e Komisionit për votim të fshehtë nga 90 deputetë të pranishëm, për votuan 50 deputetë, derisa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.
Ndërkaq procesi i konstituimit të Kuvendit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.