Veriu “i nxehtë” i Kosovës

Gjetjen e dy raketa hedhësve një ditë më parë në Mitrovicën e veriut, policia e Kosovës nuk mund ta ndërlidhë me rikthim të mundshëm të tensioneve në atë pjesë të vendit, ka deklaruar, Shefi i njësisë së planifikimin në policinë e Kosovës në Mitrovicën e veriut, Erduan Baliqi. Raketahedhësit u gjetën në një kompleks banesor të pabanuar në Mitrovicën e Veriut dhe policia tha se ato janë të prodhimit serb. Baliqi tha se policia e Kosovës ka prani të forcave të saj në veri.
“ Ne siç kemi deklaruar edhe më parë, vazhdimisht pranojmë informata të tilla dhe iu përgjigjemi këtyre thirrjeve. Nuk mund të konstatojmë një gjë të tillë por është e rëndësishme që Policia është në këtë pjesë të vendit e gatshme të përgjigjet.”, tha Baliq.
Gjetja e armatimeve në veri të vendit erdhi pak kohë pas arrestimit të Igor Popovic, ndihmësdrejtor i së ashtuquajturës Zyre për Kosovën nën dyshimet për përçarje dhe nxitje të urrejtjes. Gjykata Themelore në Prishitnë i shqiptoi atij masën e paraburgimit prej 30 ditëve, pasi mbajti një fjalim me gjuhë urrejtëse ndaj UCK-së. Mbajtja në paraburgim e Popoviq nga Beogradi zyrtar u pa si një kërcënim dhe zyrtarët e saj thanmë se do të përgjigjen fuqishëm. Por kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cilësoi kërcënime ndaj Kosovës deklaratat e Presidentit serb, Vuçiq dhe i kërkoi bashkësisë ndëkrombëtarë të reagojë.
Kërcënimet e presidentit serb ndaj Kosovës u bënë në kohën kur presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përmendur disa herë në javët e fundit se ka ndaluar një konflikt të madh mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat e tij janë konfirmuar edhe nga presidentja Osmani. Por eksperti i sigurisë, Bedri Elezi ka shpërfaqur një numër kritikash ndaj udhëheqjes së Kosovës në veçanti ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti për veprimet në veriun e Kosovës.
“ Kemi një kryeministër që mburret me punën e prokurorisë, ndërsa vet nuk i përgjigjet asaj, pastaj flet për luftë, ndërsa nis ndërtimin e dy urave të cilat mund të prodhojnë tensione..”, tha Elezi për rtv21
Ndërkohë, misioni i KFOR-it në Kosovë thotë se ka vendosur tabela të reja në kufirin Kosovë-Serbi, me qëllimin, siç tha, që të njoftojë qytetarët se po i afrohen Vijës Kufitare dhe se “tabelat po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale”.
Ambasada gjermane në Kosovë ndëkrohë publikoi fotografi të ambasadorit Jorn Rohde, deri sa po testonte pajisjet që përdoren në patrullat kufitare Kosovë- Serbi.
Veprimet e fundit të KFOR-it dhe të misionit diplomatik gjerman nga Kurakuç Kuçi, i Institutit Oktopus, u cilësuan si jo rastësore.
“KFOR-i dhe BE më nuk do të lejojnë të ndodhë një Banjska e dytë dhe nuk do të lejojnë të përsëritet rasti i Zubin Potokut…”, tha Kuçi.
Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, javë më parë ka thënë se vazhdon ta zbatojë mandatin nga OKB për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe se KFOR vazhdon ta mbajë praninë e saj në veriun e vendit.