Punonjësi 55-vjeç gjendet pa shenja jete në Parkun Inovativ në Prizren

Një 55-vjeçar është gjetur pa shenja jete sot në hapësirat e Parkut Inovativ në Prizren.
Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë rajonale të Prizrenit, konfirmoi për kp, se viktima është me inicialet B.B.
“Rreth orës 13:35, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në hapësirat e “Parkut Inovativ”, që ndodhet në ish-kazermën ushtarake në Prizren, është gjetur pa shenja jete një person B.B., i gjinisë mashkullore, rreth 55-vjeç. Sipas informatave fillestare, i ndjeri kishte qenë punonjës në atë park. Njësitet përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimin e vendit, mbledhjen e provave materiale dhe marrjen e deklaratave nga dëshmitarët,” tha Bytyqi.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë u dërgua për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa Policia e Kosovës ka iniciuar rastin si hetim i vdekjes dhe po ndërmerr veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.