“Mospërputhje mes radarëve dhe dënimeve”, IPK bën inspektimin e gjobave në trafik

IPK publikoi Raportin e inspektimit “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”
Sipas raportit të PIK-së, inspektimi ka vënë në pah përveç tjerash se ka dobësi/të meta në pasqyrimin e të dhënave në gjoba në raport me shkeljet dhe që këto sjellin dyshime se mund të abuzohet gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Në fokus të raportit kanë qenë katër objektiva kryesorë:
- Identifikimi i teknologjisë së përdorur për matjen e shpejtësisë në rrugë,
- Vlerësimi i përdorimit racional dhe efektiv të këtyre pajisjeve në situata me rrezik në trafik,
- Vlerësimi i përputhjes ndërmjet numrit të matjeve të shpejtësisë dhe numrit të kundërvajtjeve të gjobitura,
- Zbulimi i mundësive për abuzim gjatë shqiptimit të gjobave.
Gjetjet e inspektimit kanë nxjerrë në pah disa dobësi të theksuara në lidhje me pasqyrimin e të dhënave nga pajisjet e matjes në gjobat e shqiptuara, duke ngritur dyshime për manipulim apo mosrespektim të procedurave ligjore. Konkretisht, janë evidentuar katër lloje mospërputhjesh në 84 mostra të shqyrtuara:
- Në 55 raste, shpejtësia e shënuar në gjobë ishte më e ulët se ajo e regjistruar nga radari;
- Në 23 raste, kufizimi i shpejtësisë i shfaqur në radar nuk përputhej me atë të përmendur në gjobë;
- Në 3 raste, lloji i shkeljes i dokumentuar në gjobë nuk korrespondonte me shkeljen e regjistruar nga pajisja;
- Në 3 raste të tjera, gjobat janë lëshuar duke u thirrur në nene të papërshtatshme të ligjit.
Për të adresuar këto probleme, IPK ka propozuar shtatë rekomandime kryesore, përfshirë:
- Hartimin e një udhëzuesi për përdorimin e pajisjeve të matjes së shpejtësisë,
- Ofrimin e trajnimeve shtesë për zyrtarët policorë,
- Forcimin e kontrolleve për saktësinë e të dhënave të regjistruara dhe ato të futura në pajisje,
- Parandalimin e praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave,
- Përdorimin më të efektshëm të automjeteve me pajisje inteligjente,
- Monitorimin dhe administrimin e procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara,
- Zbatimin e praktikës për printimin e kundërvajtjeve në vendin e ngjarjes.
Raporti nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje strukturore dhe rritje të transparencës në përdorimin e teknologjisë në kontrollin e trafikut rrugor.