ZRRE-ja: Vendimi për liberalizim të tregut të energjisë nuk shtyhet

Zyra e Rregullatorit të Energjisë  në një përgjigje për rtv21 ka thënë  se nuk do të shtyhet vendimi për liberalizimin e tregut.

“Sipas Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, të gjitha ndërmarrjet ekonomike që i kanë përmbushur kriteret ligjore për të dalë në tregun e hapur, janë të obliguara të furnizohen me energji nga një furnizues i licencuar në treg të lirë.Ndërmarrjet ekonomike që nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues në tregun e hapur, janë furnizuar përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF) për një periudhë maksimale prej 60 ditësh, ashtu siç e parasheh ligji. Ky afat është i përcaktuar qartë në Ligjin për Energjinë Elektrike dhe nuk mund të shtyhet me ndonjë vendim apo akt administrativ nga ZRRE-ja.”, thuhet në përgjigjen e ZRrE-së.

ZRrE-ja ka paralajmëruar se pas përfundimit të afatit do të ndërpritet furnizimi për ato biznese të cilat nuk kanë siguruar kontratë.

“Pas përfundimit të periudhës 60-ditore, nëse ndërmarrja nuk ka siguruar kontratë me një furnizues të licencuar në treg të hapur, Operatori i Rrjetit të Shpërndarjes është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike, pasi nuk ekziston më asnjë bazë ligjore për vazhdimin e furnizimit.”,thotë ZRrE-ja. /21Media

Back to top button