DHTIK mirëpret heqjen e taksës doganore për produktet amerikane

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mirëpret largimin e taksës doganore ndaj produkteve amerikane, duke rikujtuar se që nga paralajmërimet e para të administratës amerikane, kanë ngritur zërin duke i kërkuar qeverisë heqjen e tërësishme të taksës doganore dhe nisjen e negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë Kosovë-SHBA.
Ne vlerësojmë se heqja e kësaj takse dhe kthimi i marrëveshjes me MCC është një mundësi e mirë për rritjen e bashkëpunimit me SHBA, por nuk duhet të ndalemi me kaq, pasi dy vendet kanë hapësirë të madhe për rritje të bashkëpunimit.
Le të shërbejnë këto zhvillime pozitive në avancim të bashkëpunimit dhe nxitjes së investimeve amerikane në Kosovë, thuhet në reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr sot tarifën doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas së cilës tani e tutje, të gjitha produktet me origjinë nga SHBA-ja do të ketë tarifë zero për qind kur të hyjnë në Kosovë.
Kosova kishte tarifë doganore ndaj produkteve amerikane 10 për qind. Pas tarifave të publikuara nga Donald Trump për rreth 200 vende në mbarë botën, Kosova u prek me 10 për qind për produktet e eksportuara në SHBA. Pas këtij vendimi Qeverisë në detyrë të Kosovës i janë bërë thirrje të vazhdueshme për heqjen e tarifave doganore për importet amerikane.