Trump zhvendos nëndetëset bërthamore pas komenteve të ish-presidentit rus

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, thotë se ka urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të “pozicionohen në rajonet e duhura” në përgjigje të komenteve “shumë provokuese” të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se veproi “në rast se këto deklarata budallaqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, shpresoj se ky nuk do të jetë një nga këto raste”.

Ai nuk tha se ku po dislokoheshin dy nëndetëset.

Medvedev ka postuar disa komente ditët e fundit duke kërcënuar SHBA-në në përgjigje të ultimatumit të Trump ndaj Moskës për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë, ose të përballet me sanksione të ashpra.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi: “Bazuar në deklaratat tejet provokuese të ish-presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, i cili tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, kam urdhëruar që dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura”.

Të hënën, Medvedev akuzoi Trumpin se po luante “lojën e ultimatumit me Rusinë”.

Në një postim në X, ish-presidenti rus tha se “çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës”.

Më herët këtë muaj, Medvedev e përshkroi ultimatumin e Trump si “teatral”, duke thënë se “Rusia nuk interesohej”.

Dhe duke shkruar në Telegram të enjten, Medvedev paralajmëroi për një kërcënim “të dorës së vdekur” – të cilin disa analistë ushtarakë e kuptuan si një referencë ndaj emrit të koduar të sistemit të kontrollit të sulmeve bërthamore hakmarrëse të Rusisë./21Media

Back to top button