Futbollisti i Shkëndijës tregon si e eliminuan Steauan, ka një këshillë për lojtarët e Dritës

Pas arritjes historike në garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Kampionëve, një nga figurat kyçe të skuadrës së Shkëndijës nga Tetova, Mevlan Murati, ka reflektuar mbi rrugëtimin drejt këtij suksesi që, sipas tij, është pritur për më shumë se një dekadë.

Në një intervistë për KosovaPress, Murati ka komentuar sfidat e kaluara, pritshmëritë, reagimin ndaj deklaratave nga kampi kundërshtar dhe synimet e radhës – përfshirë një ëndërr të madhe: kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Shkëndija e eliminoi Steaua Bukureshtin në raundin e dytë të kualifikimeve duke treguar kështu fuqinë dhe seriozitetin e tyre përballë kundërshtarëve me nivel të lartë.

“Të them të them të drejtën këtë sukses e kemi pritur gati dhjetë vite. Çdo vit kemi parë pretendime të njëjta për që për të arritur në grupe dhe ky vit ishte çelësi suksesi për ne…Besoj ishte besimi shumë i madh tek të gjithë, si te ekipi, si te trajneri, edhe te pronarët, edhe te udhëheqësit e klubit dhe më në fund ia arritëm qëllimin”, thotë fillimisht Murati.

Murati theksoi se Steaua ishte skuadër favorite në letër, por që sakrifica e lojtarëve në fushë bëri diferencën në dy ndeshjet.

“Sforcim më i madh jo, që nga ndeshja e parë ne ishim me fokusin në ndeshje pas ndeshje sepse janë ndeshje delikate këto të Evropës. Me përvojën që e kishim, besoj ishim më të mirë dhe foli për rundin e parë, pastaj në rundin e dytë ishte një ekip shumë i fortë dhe pritshmëritë ishin edhe më të mëdha, vetbesimi edhe më i madh në atë aspekt, sepse ishin një ekip shumë, shumë i madh. Edhe pse ishin në favoritë në letër ata, ne treguam se në fushë ndodh gjithçka”, vijon Murati.

Hapin vendimtar për t’u inkuadruar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve Shkëndija, duhet ta bëjë duke e mposhtur skuadrën e Qarabag në play-off, gjë të cilën Murati thotë se janë gati që të japin më të mirën.

“Ne objektivin kryesor arritëm. Tani jemi në një hap tjetër dhe pse mos të bëjmë edhe një edhe më të madh, të futemi në grupet e Ligës së Kampionëve, ku besojë se Qarabag është në të njëjtin nivel me këtë ekip që luajtëm tani me Staauan dhe do japim më të mirën në atë ndeshje, kuptohet, për të arritur kualifikimin”, shprehet Murati.

Murati pati edhe një përgjigje për presidentin e Steauas, Gigi Becali, i cili pas ndeshjes tha se skuadra e tij u eliminua nga një ekip shumë i dobët siç është Shkëndija.

“Kam një përgjigje, por pikë së pari të përmendim edhe para ndeshjes ka pasur deklarata të tilla. Por nga ana jonë s’jemi marrë fare me ato deklarata, me ato çfarë thonin ata, të them të drejtën, ne u fokusuam në punën tonë dhe ja rezultati në fund, fusha tregoi gjithçka, pavarësisht deklaratave të tyre”, theksoi Murati.

Nuk mungoi as këshilla e Muratit për futbollistët e Dritës, pasi skuadra nga Gjilani do të ndeshet pikërisht me Steauan në Ligën e Evropës.

“Një këshillë që do të thoja, të luajnë futboll dhe të mos e respektojnë në maksimum kundërshtarin, sepse fundi i fundit futbolli është i barabartë për të gjithë. Fusha tregon gjithçka dhe do të marrim pak motivim nga ana jonë në aspektin të asaj që eliminuam, pra mund të ndodh gjithçka…Patjetër ka kualitet dhe e tregoi edhe me Kopenhagen në ndeshjen e parë e në ndeshjen e dytë se ka kualitet të madh, dhe besoj dhe shpresoj shumë dhe ju uroj shumë fat të kalojnë më tutje”, tha në fund Murati.

Ndeshjen ndaj Qarabag në Ligën e Kampionëve, Shkëndija do ta zhvillojë më 5 gusht, me fillim nga ora 20:00./kp

Back to top button