Sunny Hill ndër vite, si u realizua ëndrra e një vajze nga Kosova

Filloi si një ëndërr e një vajze shqiptare nga Prishtina, që pushtoi botën me zërin e saj. Sot, Sunny Hill Festival është një nga festivalet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore, që mbledh mijëra të rinj nga e gjithë bota në zemër të Kosovës.
Në gusht të vitit 2018, për herë të parë, Parku i Gërmisë në Prishtinë u mbush me ritmin e muzikës elektronike, pop dhe hip-hop. Me emra të mëdhenj si Dua Lipa, Martin Garrix dhe Action Bronson, Sunny Hill hodhi themelet e para të një tradite që çdo vit rrit peshën kulturore dhe muzikore të vendit, shkruan RTV21
Viti 2019 solli një tjetër bum: Miley Cyrus dhe Calvin Harris, dy prej emrave më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare, performuan në Prishtinë. Festivali po kthehej në një ngjarje rajonale dhe një platformë për artistët shqiptarë.
Përveç yjeve ndërkombëtarë, në këtë festival performojnë edhe emrat më të njohur të hip-hop-it shqiptar si: Lyrical Son, MC Kresha, Ledri Vula, Lluni, Tayna, YaNina, Buta, e shumë të tjerë.
Pas një pauze për shkak të pandemisë, Sunny Hill u rikthye me dy edicione paralele një në Prishtinë dhe një tjetër në Tiranë, për herë të parë. Artistë si J Balvin, Diplo, Stormzy, Hardëell dhe DJ Snake e çuan festivalin në një nivel tjetër.
Debatet politike, mungesa e një hapësire të përhershme dhe sfidat logjistike e detyruan organizimin të kërkojë rrugë të reja. Dhe ato u gjetën: në vitin 2024, Sunny Hill Festival u zhvendos në një lokacion të përhershëm, Sunny Hill Festival Park, në Bërnicë të Prishtinës.
Këtë vit skena e Sunny Hill u ndez flakë, nga performanca e Dua Lippës Shawn Mendes, Peggy Gou dhe dhjetëra artistë të tjerë duke e konfirmuar edhe një herë se muzika bashkon, tejkalon kufijtë dhe e vendos Kosovën në hartën globale të kulturës bashkëkohore.
Ky festival mbi të gjitha sjellë edhe përfitime të mëdha ekonomike për vendin, duke rritur ndjeshëm numrin e turistëve, të cilët vijnë në Kosovë nga afro 40 shtete të botës./21Media