Në prag të vendimit përfundimtar të kushtetueses për ngërçin në Kuvend

Pak ditë para përfundimit të masës së përkohshme mbi Kuvendin e Kosovës të vendosur nga Gjykata Kushtetuese njohës të çështjeve ligjore vlerësojnë se kushtetuesja duhet të dalë me një vendim përfundimtar të qartë për të gjitha palët dhe të mos lejoi hapësira për interpretim nga subjektet politike. Ata thonë se nëse edhe pas vendimit përfundimtar të Kushtetueses nuk arrihet konstituimi i Kuvendit vendi rrezikon të kalojë në anarki.
Kuvendi i Kosovës vazhdon jetë nën masën e përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi për masën e përkohshme erdhi pas kërkesës së PDK-së dhe LDK-së, për të shqyrtuar mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese, ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar të gjitha aspektet kushtetuese lidhur me çështjet që këto subjekte politike kanë parashtruar në kërkesa dhe për vendimin përfundimtar do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit. Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se vendimi i kushtetueses nuk do duhej që të linte hapësira për interpretime të tjera.
“Vendimi duhet të jetë në atë formë i sqaruar deri në detajin e fundit se si duhet të veprohet. Pra të pikturohet në atë formë që kjo klasë politike e papërgjegjshme të mos ketë hapësirë për interpretim…”, tha ai.
Masa e përkohshme mbi Kuvendin e Kosovës hyri në fuqi më 27 korrik dhe është vlefshme deri të premten e 8 gushtit. Njohës të çështjeve ligjore, vlerësojnë se tashmë Kosova ka hyrë në një terren të panjohur meqë në histori të saj asnjëherë nuk ka qenë në një situatë të tillë. Në këtë kuptim edhe hulumtuesi në IKD Gzim Shala, flet për nevojën e sqarimeve të detajuara nga Kushtetuesja.
“Presim që t’i sqarojë të gjitha, duke nisur nga mënyra e votimit, afatet kohore, të sqarojë pasojat juridike pas afatit 30 ditor, të sqarojë se a ka pasur shkelje nga kryesuesi Dehari të gjitha. Por, të mos harrojmë se në fund të fundit do të nevojitet një marrëveshje politike për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar dhe se Kushtetuesja nuk do duhej të instrumentalizohet nga partitë politike”, tha Shala ër rtv21.
Gjykata Kushtetuese para vendosjes së masës së përkohshme vendosi një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, por, pa sqaruar pasojat juridike që mund të prodhohen pas tejkalimit të afatit. Profesori i së drejtës kushtetuese Mazllum Baraliu thotë se nëse Kushtetuesja nuk sqaron pasojat juridike, ngërçi politik mund të zgjas dhe Kosova rrezikon të hyjë në anarki.
“Nëse nuk sqarohet mire dhe drejtë, nëse lihet hapësire për interpretime atëherë Kosova rrezikon të kthehet në anarki, sepse kur nuk ka institucione, nuk ka shtet, kur nuk ka shtet ka anarki”, tha Baraliu.
Kosova nuk ka arritur të themelojë institucionet e reja, pavarësisht se zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt. Deputetët, në 54 përpjekje dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë duke shënuar kështu një rekord përpjekjesh të dështuara për konstituimin e Kuvendit./RTV21/21Media