Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
LVV: Kushtetueseja po përgatit terren që pas 30 ditësh e drejta për kryetar të Kuvendit t’i kalojë partisë tjetër
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar vendimin si tejkalim të juridiksionit dhe cenim të demokracisë.
Në një komunikatë të LVV-së thuhet se vonesa prej 10 ditësh në publikimin e vendimit tregon pamundësinë e Gjykatës për të justifikuar një “vendim arbitrar”.
“Gjykata ka shkruar një rregull të ri, përtej kompetencave të saj, me kufij të ngushtë arsyetimi që burojnë nga gjerësia e tejkalimeve që i ka lejuar vetes”, thuhet në reagim.
LVV thekson se vetë Gjykata e ka pranuar se votimi i fshehtë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, duke rrëzuar, sipas saj, “zhurmën opozitare”.
Por, sipas Vetëvendosjes, paragjykimi për mungesë konsensusi politik, pa u hedhur asnjëherë çështja në votim, është mbështetje ndaj subjekteve bllokuese dhe rikthim te ngërçi i deritanishëm.
Sipas reagimit, Gjykata ka përdorur analogji të paqëndrueshme me zgjedhjen e Presidentit, ku Kushtetuta përcakton qartë raundet e votimit dhe pasojat e moszgjedhjes.
LVV e konsideron këtë si “përdorim të frazave të opozitës, veçanërisht të PDK-së”, dhe paralajmëron se Gjykata po përgatit terrenin që, pas skadimit të afatit 30-ditor, e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit të kalojë te ndonjë parti tjetër.
“Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese nuk iu referua asnjë kushtetute evropiane apo botërore dhe nuk kërkoi mendime nga gjykatat homologe për krahasueshmëri rastesh. Një rast i paprecedentë”, përfundon reagimi i LVV-së.
Qorrolli: Kushtetuesja hyri në territorin e Kuvendit, ky është precedent i rrezikshëm
Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Vigan Qorolli ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se është hera e parë që Kushtetuesja ka marrë vendim të madh pa iu referuar asnjë kushtetute evropiane ose botërore
Sipas tij, ky fakt është pazakontë.
“Për herë të parë në historikun e saj, Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të ashtq., të madh (KO, kërkesa të institucioneve) pa iu referuar asnjë kushtetute evropiane ose botërore dhe as një aktgjykimi tjetër model të gjykatave të saj simotra dhe as Forumit Kushtetues Evropian – ku ajo bën pjesë. Ky është një fakt i pazakontë, por edhe domethënës: asnjë precedent, asnjë rast krahasues, asnjë përvojë e ngjashme nga bota demokratike”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se deri më tani, Gjykata gjithmonë ka përdorur krahasime ndërkombëtare për ta ndërtuar legjitimitetin e vendimeve të saj. Sipas tij, këto referenca nuk kanë qenë mbase zbukurim, por mburojë kundër arbitraritetit, duke treguar se Kosova ecën në hap me traditën evropiane të konstitucionalizmit.
Ka shtuar se mungesa e krahasueshmërisë në këtë rast tregon se zgjidhja e dhënë nuk ka përkrahje në botën demokratike. Sipas Qorollit, “vendimi duket i izoluar, tejet i brishtë dhe i hapur ndaj dyshimeve se është ndërtuar mbi logjikë të brendshme të dobët, jo mbi standarde universale”.
“Ky precedent e vendos Gjykatën në një pozitë të rrezikshme: në vend që ta forcojë besimin te Kushtetuta, e cenon atë duke krijuar idenë se normat kushtetuese mund të shpiken pa mbështetje në tekst, e as në traditën krahasuese. E drejta e tri herave për një kandidat për Kryetar Kuvendi nuk ekziston në tekstin e Kushtetutës. Ky kufizim është krijuar nga Gjykata Kushtetuese pa bazë shprehimisht kushtetuese dhe pa precedent ndërkombëtar. Kur gjykata shpik një rregull numerik të tillë – nuk e ka kryer detyrën e saj primare: e që është interpretimi i Kushtetutës dhe kjo gjë qartësisht përbën tejkalim të mandatit të saj kushtetues”, ka thënë ai.
E njëjta sipas tij, vlen edhe për kufizimin 30-ditor.
Ai ka thënë se Kushtetuta flet për afatin 30 ditë për thirrjen e seancës konstituive, jo për përfundimin e saj ose për anulimin e seancave të mbajtura.
“Duke e shndërruar këtë afat në kufi absolut dhe duke shpallur të pavlefshme periudha të tëra parlamentare, Gjykata ka hyrë në territorin e Kuvendit si organ sovran. Ky është precedent i rrezikshëm, sepse e bën Gjykatën ligjbërëse në vend të interpretueses së Kushtetutës”, ka shtuar ai.
Kryeziu: Aktgjykimi është një “arrnim kushtetues”, por mund të kryejë punë
Ish-gjyqtari i Kueshtetueses, Kadri Kryeziu ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një “arrnim kushtetues”, i cili megjithatë mund të ndihmojë në tejkalimin e krizës institucionale.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka lënë shumë hapësirë për të justifikuar mungesën e një sqarimi të qartë në aktgjykimin e 26 qershorit, se praktikat parlamentare nënkuptojnë votim të hapur.
“Një përcaktim i qartë më 26 qershor do të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe do të na kursente nga dramat politike të gjashtë javëve të fundit”, tha Kryeziu.
Ai theksoi se në këtë vendim Gjykata ka qenë e kujdesshme, duke mos e mohuar ligjshmërinë e votimit të fshehtë, por duke orientuar procedurën drejt votimit të hapur për shkak të mungesës së konsensusit parlamentar.
Sa i përket kufizimit të nominimit të një kandidati për kryetar Kuvendi deri në tre herë, Kryeziu vlerëson se Gjykata nuk ka dhënë argumente bindëse juridike.
“Është një zgjidhje procedurale e përkohshme, qëllimmirë, por jo plotësisht bindëse”, tha ai, duke shtuar se përgjegjësia i lihet Kuvendit që në të ardhmen të rregullojë qartë procedurat me anë të Rregullores së Punës.
Duke folur për rrugën e mëtejme procedurale, Kryeziu theksoi se kryesuesi i Kuvendit duhet të thërrasë sa më shpejt seancën konstituive, ku grupi më i madh parlamentar propozon kandidatin e tij.
Nëse një kandidat dështon në tre raunde votimi brenda afatit 30-ditor, grupi duhet të propozojë një emër tjetër, duke e rifilluar procedurën nga e para.
“Edhe pse Gjykata nuk mund të japë zgjidhje juridike për problemet politike të kësaj legjislature, topi është përsëri te deputetët. Aktgjykimi është final dhe partitë politike, sipas traditës, do ta zbatojnë atë në përpikëri”, përfundoi Kryeziu.
KDI: Aktgjykimi sqaroi kufijtë kushtetues, Dehari tejkaloi mandatin, tash ta thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese rreth bllokadës në Kuvend i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive.
KDI tha se aktgjykimi ka krijuar qartësi kushtetuese për rolin dhe përgjegjësitë që kanë palët në Kuvend.
“KDI i bën thirrje Kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari, që të thërrasë sa më parë vazhdimin e seancës konstituive dhe të përmbushë detyrimet që rrjedhin prej aktgjykimit, duke ftuar grupin më të madh parlamentar që të propozojë kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit, si dhe të procedojë me votimin e hapur. Kjo përbën një detyrim të qartë, që nuk lë vend për interpretime politike apo zvarritje të mëtutjeshme procedurale”.
KDI ka vlerësuar se aktgjykimi i plotë i publikuar sot nga Gjykata Kushtetuese përbën një zhvillim të rëndësishëm drejt rivendosjes së rendit kushtetues dhe institucional, në funksion të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes këtij vendimi, KDI tha se gjykata ka sqaruar kufijtë kushtetues të seancës konstituive dhe ka konstatuar se veprimet e ndërmarra dhe seancat e mbajtura pas 26 qershorit ishin në kundërshtim me aktgjykimin e mëparshëm KO124/25.
“Po ashtu, është konstatuar se Kryesuesi i seancës, në ushtrimin e kompetencave të tij, ka tejkaluar mandatin kushtetues, duke ndryshuar rendin e ditës dhe shtyrë përpara veprime që bien ndesh me detyrimet e përcaktuara qartë nga Gjykata. Me këtë vendim, është rikthyer qartësia kushtetuese mbi rolin dhe përgjegjësitë e të gjitha palëve në këtë fazë të ndjeshme politike”.
Gjithashtu, KDI u bëri thirrje subjekteve parlamentare dhe të gjithë deputetëve që të veprojnë në përputhje me mandatin e tyre dhe me përgjegjësinë e tyre kushtetuese për të siguruar funksionalitetin e Kuvendit, si një institucion thelbësor i rendit demokratik në vend.
“Kuvendi duhet të rikthehet në funksion pa vonesa të mëtejme. Procesi i konstituimit nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike apo përpjekjeve për interpretim të situatës përtej konturave që tashmë janë qartësuar nga Gjykata”.
Abdixhiku: Gjykata vërtetoi se veprimet e VV-së ishin shkelje flagrante të Kushtetutës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si konfirmim të qëndrimeve të hershme të partisë së tij për bllokimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i Kuvendit.
“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”, tha Abdixhiku.
Ai kujtoi se për 48 herë rresht, sipas tij një rekord i turpshëm në historinë parlamentare, procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit ishte penguar përmes procedurave të jashtëligjshme.
Sipas Abdixhikut, vendimi i Kushtetueses ka riafirmuar qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk kanë të drejtë të veprojnë jashtë Kushtetutës apo të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë.
Ai shtoi se aktgjykimi është një fitore e madhe jo vetëm për LDK-në, por për Republikën e Kosovës dhe çdo qytetar që kërkon institucione funksionale e të ndershme.
“Mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush. Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion”, përfundoi Abdixhiku.
Krasniqi bën thirrje të thirret sa më shpejt seanca e radhës
Kryetar i PDK-së, Memli Krasnqi, i ka bërë thirrje kryesuesit Avni Dehari, që të thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, pasi të hënën u publikua nga Gjykata Kushtetuese aktgjykimi i plotë lidhur me bllokadën në Kuvend.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kushtetuesja sqaron pse kufizoi votimin në tri herë për një kandidat për kryekuvendar
Gjykata Kushtetueses e Kosovës në vendimin për të kufizuar në maksimalisht tri votime një kandidat për kryekuvendar, ka marrë shembull edhe votimin për president të Kosovës dhe postin e Avokatit të Popullit që bëhet në Kuvend.
Gjykata në arsyetimin ka thënë se duke u bazuar se seanca konstituive e Kuvendit edhe pas afatit përfundimtar prej 30 ditëve që ishte caktuar me aktgjykimin e kaluar të Kusthtetueses nuk përfundoi, e konstaton se votimi i një kandidati apo kandidateje për kryetar të Kuvendit s’mund të realizohet më shumë se tri herë.
“Kufizimi në 3 (tre) raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse. Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L019 për Avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.
Kushtetuesja ka vlerësuar që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit.
Kushtetuesja ka konstatuar se seanca duhet të vazhdojë te pika ku kishte mbetur më 8 prill, dhe votimi të bëhet i hapur.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në aktgjykim.
Labani kishte kërkuar përjashtimin nga vendimmarrja, por kërkesa iu refuzua
Gjyqtari Radomir Laban kishte kërkuar të përjashtojej nga nga vendimmarrja nga rastet ndaj bllokadës në Kuvend.
Kjo pasi që Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se institucionet e sigurisë kanë konsideruar se përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës
Por Gjykata në aktgjykim thotë se kërkesa iu refuzua njëzëri.
“Më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Laban kërkoi përjashtimin e tij nga vendimmarrja nga rastet KO193/25 dhe KO196/25 si dhe KO215/25. Të njëjtën ditë Gjykata, njëzëri, refuzoi kërkesën për përjashtim të gjyqtarit Radomir Laban”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Dehari obligohet që brenda 30 ditësh të ftojë VV-në të propozojë kandidatin me votim të hapur
Me publikimin e plotë të aktgjykimit për kushtetutshmërinë për votimin e fshehtë në Kuvendin e Kosovës, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.
Kryesuesi i Kuvendit Avni Dehari është i obliguar që ta ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar, Lëvizjen Vetëvendosje, për të propozuar kandidatin/en për postin e kryeparlamentarit.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë për konstituimin e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë për konstituimin e Kuvendit.
Më 8 gusht, kjo gjykatë ka urdhëruar Kuvendin e Kosovës që brenda që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur. Sipas këtij aktgjykimi kandidati duhet të vihet në votim jo më shumë se tri herë.
Pas publikimit të këtij vendimi deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin.
Aktgjykimin e plotë mund ta gjeni në këtë LINK
Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e plotë për konstituimin e Kuvendit
RTV21 merr vesh nga burimet e sigurta se Gjykata Kushtetuese sot gjatë ditës do të publikojë aktgjykimin e plotë për konstituimin e Kuvendit./21Media