Ndërroi jetë 23-vjeçari që u lëndua pasi ra në kontakt me rrymën në Gjilan

Ditën e sotme, rreth orës 07:05, në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare (QKUK) ka vdekur 23-vjeçari që kishte pësuar lëndime pasi kishte rënë në kontakt me rrymën gjatë punës në një kompani private në Gjilan ditën e djeshme.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka thënë se viktima përkundër ndihmës nuk ka arritur të mbijetojë, teksa shtoi se pronari i kompanisë është arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Ju njoftojmë se sot me datë 19.08.2025 në 07:05 nga Emergjenca e QKUK-së Prishtinë jemi njoftuar se personi i lënduar (dl.2002) edhe përkundër ndihmës së dhënë nga ana e mjekëve ka nderruar jetë. Ai dje ishte lënduar pasi aksidentalisht kishte ra në kontakt me energjinë elektrike gjersa ishte duke punuar në një ndërmarrje private në Gjilan. Pronari i kompanisë është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai është intervistu në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit të tij me Urdhër të prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale”, ka thënë Hashani.
Ai shtoi se hetimet rreth rastit janë duke u zhvilluar në bashkëpunim me prokurorin e shtetit. /21Media