Kurti e Sveçla homazhe në përvjetorin e 18-të të vrasjes së Triumf Rizës

Në 18 vjetorin e rënjes së zyrtarit policor, heroit Triumf Riza, kanë bërë homazhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bashkë me kolegët e tij të Policisë, në vendin ku Riza kishte mbetur i vrarë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla shkroi se drejtësia për vrasjen e tij është vonuar por sipas tij është e domosdoshme si tregues që rendi e ligji triumfojnë mbi çdo grup kriminal që cënon sigurinë e vendit tonë e të zyrtarëve tanë policor
“Triumfi u vra në moshën 28 vjeçare, në moshën e tij më të mirë kur me shumë dëshirë e motiv po shërbente në Policinë e Kosovës. Të gjithë ne që e kemi njohur e kolegët që kanë pasur fatin të punojnë me të, e kujtojnë si një djalë plot guxim e i pa kompromis përballë çdo kujt që synonte të minonte rolin e policisë e policin në detyrë. Drejtësia për vrasjen e tij është zvarritur e vonuar por është e domosdoshme si tregues që rendi e ligji triumfojnë mbi çdo grup kriminal që cenon sigurinë e vendit tonë e të zyrtarëve tanë policor”, ka shkruar Sveçla
Ai gjithashtu përmes këtij statusi ka njoftuar se kanë vendosur edhe gurthemelin e lapidarit të ri për Rizën.
“Në këtë përvjetor vendosëm edhe gurthemelin e lapidarit të ri për Triumfin, për zyrtarin policor që do të jetë gjithmonë në mendjet e në zemrat tona dhe në kujtesën tonë kolektive. Lavdi e përjetshme Hero Triumf Riza! Lavdi të gjithë zyrtarëve policor të rënë në krye të detyrës!”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?