Katër të lënduar nga zjarri në Shtime, policia: Ndodhet afër shtëpive të banimit

Katër persona janë lënduar sot rreth orës 14:00 në Shtime si pasojë e një zjarri.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Ai shtoi se zjarri i cili ka shpërthyer në afërsi të shtëpive të banimit, paraqet rrezik për banorët.

“Rreth orës 14:00, në lagjen “Pajtimi”në Shtime është paraqitur një zjarr fushor, i cili për shkak të erës së fortë është përhapur me shpejtësi. Zjarri, i cili ndodhet afër shtëpive të banimit, paraqet rrezik. Deri tani është përfshirë një shtëpi e vjetër dhe një veturë. Në vendngjarje ndodhen ekipet e zjarrfikësve të Shtimes, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit me ndihmën edhe të banorëve të lagjes. Deri në këtë moment është raportuar për katër persona të lënduar lehtë. Në zonën e rrezikuar ndodhet edhe një autoambulancë. Policia është në vendin e ngjarjes dhe menaxhmenti i saj është duke i koordinuar aktivitetet me autoritetet komunale”, tha Veseli për portalin rtv21.tv /21Media

Back to top button