Euro 2027/ Kosova U21 e nis me barazim të vlefshëm ndaj Rumanisë

Përfaqësuesja U21 e Kosovës e ka nisur me barazim fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, i cili do të mbahet në Shqipëri e Serbi.

Të premten mbrëma, në ndeshjen e parë të Grupit A, “Dardanët e rinj” barazuan pa gola në udhëtim ndaj Rumanisë, në takimin e zhvilluar në qytetin Iasi.

Kosova tregoi lojë më të mirë dhe krijoi më shumë raste krahasuar me kundërshtarin. Statistikat zyrtare flasin për 15 tentativa të Kosovës kundrejt 9 të Rumanisë. Nga to, katër gjuajtje të Kosovës shkuan në portë, tri përfunduan të bllokuara, ndërsa tetë ishin të pasakta. Përveç kësaj, “Dardanët” e goditën edhe shtyllën, duke qenë shumë pranë golit.

Sfida e radhës për Kosovën U21 luhet të martën nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku përballë do të ketë favoritët e grupit, Spanjën. Përveç këtyre ekipeve, në Grupin A bëjnë pjesë edhe Finlanda, Qipro dhe San Marino.

Back to top button