Dogana kap “botox” dhe “fillerë” ilegal në Prishtinë, në vlerë rreth 5 mijë euro

Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës ka njoftuar se kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme produktesh estetike të padoganuara në kryeqytet.
Sipas komunikatës për media, më 9 shtator, gjatë një kontrolli në një automjet në Prishtinë, doganierët kanë zbuluar produkte të llojit botox dhe fillerë, të destinuara për përdorim estetik.
“Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës, më datë 09.09.2025, bazuar në informatat paraprake dhe autorizimet ligjore të parashikuara në Kodin Doganor dhe të Akcizave, kanë ndaluar një automjet në territorin e Prishtinës. Gjatë kontrollit të automjetit, është konstatuar se brenda tij transportoheshin produkte të padoganuara të llojit “botox” dhe “fillerë” (produkte për përdorim estetik). Pas veprimeve të mëtejshme operative dhe në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku është gjetur dhe ndaluar një sasi shtesë e këtyre produkteve. Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet të jetë rreth 5,000 €. Duke marrë parasysh se këto produkte kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës. Rasti, sipas procedurave ligjore, është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, duke mbrojtur tregun vendor dhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në komunikatë.