Edi Rama shpall qeverinë, disa ministra vazhdojnë punën, disa vijnë të ri – emrat

(Lajm i përditësuar)


Edi Rama shpall qeverinë, disa ministra vazhdojnë punën, disa vijnë të ri – emrat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste ditën e sotme gjatë Asamblesë Kombëtare të kësaj force politike ka prezantuar emrat e kabinetit të ri qeveritar, me cilin do të drejtojë vendin deri në vitin 2029.

Zëvendëskryeministrja aktuale Belinda Balluku është rikonfirmuar në krye të këtij posti. Gjithashtu Balluku do të vijojë të drejtojë minsitrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Për herë të parë, një grua do të jetë në krye të ministrisë së Brendshme.

Albana Koçiu, e cila mbante postin e ministres së Arsimit, në qeverinë “Rama 4” do të drejtojë ministrinë e Brendshme. Kreu i qeverisë rikonfirmoi gjithashtu ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu dhe atë të Financave Petrit Malaj. Ministria e Bujqësisë iu besua kryebashkiakut të Cërrikut, Andis Salla, ndërsa ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor iu besua një tjetër ish-kryebashkiaku iatij të Beratit, Ervin Demo, i cili para zgjedhjeve të 11 maji u dorëhoq nga detyra dhe kandidoi për deputet në listë të sigurt.

Ky është kabineti qeveritar Rama 4 i plotë:

Belinda Balluku– Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës (Rikonfirmohet në detyrë)

Ka mbajtur detyrën e Zëvendëskryeministres prej korrikut të vitit 2022 dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019.

Më herët, nga shtatori i vitit 2013 e në vazhdim (2019), Znj. Balluku ka shërbyer në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm në ALBCONTROL, sh.a., Agjencia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë.

Znj. Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” nga Harvard Kennedy School, si dhe me titull nderi nga IATA (International Air Transport Association) për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror (Air Navigation Services Management).

Albana Koçiu – Ministria e Punëve të Brendshme (Ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, zëvendëson Ervin Hoxhën)

Albana Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, ka mbajtur postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përpara kësaj detyre, Znj. Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).

Elisa Spiropali –Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (Vjen nga drejtimi i Kuvendit dhe zëvendëson Igli Hasanin)

Nga korriku 2024 znj. Spiropali ka mbajtur postin e Kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë gjatë Legjislaturës X.

Prej janarit 2019 deri në korrik 2024, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, duke u riemëruar në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste, në shtator 2021.

Para emërimit në detyrë si Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Spiropali ka mbajtur funksionin e nënkryetares së Grupit Parlamentar Socialist dhe të nënkryetares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, prej vitit 2017 deri në vitin 2019.

Petrit Malaj – Ministria e Financave (Rikonfirmohet në detyrë)

Petrit Malaj është lindur në Tiranë më 13 Tetor 1978. Prej muajit korrik 2024, z. Malaj ka mbajtur detyrën e Ministrit të Financave. Përpara kësaj detyre, nga muaji janar 2024,  Z. Petrit Malaj shërbeu si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Nga viti 2010 z. Malaj mbajti detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të BDO Albania, pjesë e BDO Group, Grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave. Në vitin 2004 z. Malaj ishte pjesë e Programit të Qeverisë Gjermane, me fokus në tregjet e kapitalit duke u kualifikuar në Bursën  e Frankfurtit dhe Bursën Berlin- Bremen.

Blendi Gonxhja – Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit (Vjen nga MEKI dhe pason Mirela Kumbaron që drejtonte Turizmin)

Blendi Gonxhja është lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970. Prej muajit janar 2024, ai ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përpara kësaj detyre, nga nëntori 2018, Blendi Gonxhja ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Nga Tetori 2015, ai drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë. Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin në Greqi dhe Shqipëri.

Sofjan Jaupaj – Ministria e Mjedisit (Mbante detyrën e zv/ministrit të Mjedisit)

Mirela Kumbaro – Ministria e Arsimit (Vjen nga drejtimi i Ministrisë së Turizmit)

Mirela Kumbaro Furxhi është lindur në Tiranë, në vitin 1966. Që prej shtatorit 2021 ajo ka shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit. Në vitin 2013, emërohet Ministre e Kulturës, post që e mbajti për më shumë se 5 vjet, duke u emëruar sërish ministre e Kulturës në vitin 2017 në mandatin e dytë të qeverisë Rama.

Në vitin 2017 është nderuar me Urdhrin “Oficere e Nderit në Art dhe Kulturë” nga Ministria e Kulturës dhe Komunikimit të Francës, me motivacionin për kontribut të lartë në fushën e kulturës dhe të bashkëpunimit shqiptaro-francez.

Evis Sala – Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (Vjen nga Italia)

Evis Sala drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli” dhe është pedagoge në institucionet e arsimit të lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit.

Prof. Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.

Delina Ibrahimaj – Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (Vjen nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit)

Znj.Ibrahimaj është lindur në Tiranë, më 23 dhjetor 1983. Që prej muajit shtator 2023, ajo ka mbajtur postin e Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Përpara kësaj detyre, Znj. Ibrahimaj ka shërbyer si Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Nga viti 2019 e në vijim ka kryer detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, në 2016-2019 ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave dhe në 2015-2016

koordinator për Çështjet Financiare dhe Ekonomike, anëtare e sallës operacionale në Kryeministri.

Diella – Anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme e krijuar nga Inteligjenca Artificiale, në proceset qeverisëse, një mandat për të ndikuar ritmin e proceseve të qeverisjes. Diella, shërbyesja e prokurimeve publike.

Besfort Lamallari – Ministria e Drejtësisë (Pason Ulsi Manjën. Ky i fundit do të drejtojë komisionin parlamentar të Ligjeve)

Besfort Lamallari ka lindur më 18 korrik 1987, në Peshkopi, Dibër. Ai mbajti postin e Zëvendësministrit të Brendshëm që nga 9 Tetori 2017. Z. Lamallari ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës, në vitin 2009. Në 2013 është diplomuar në Universitetin e Oksfordit në programin Master shkencor për Kriminologji dhe Drejtësi Penale.

Më herët ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali LL.M “Bashkëpunimi Ndërkombëtar kundër Krimit të Organizuar Transnacional”. Ai është trajnuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP), si dhe Akademia e Studimeve Politike – Program i Këshillit të Europës. Z. Lamallari vjen nga një eksperiencë intensive kërkimore shkencore, nga e cila spikat roli i tij si hulumtues i pavarur dhe autor i një sërë studimesh në fushën e krimit të organizuar, radikalizmit dhe terrorizmit.

Pirro Vengu – Ministria e Mbrojtjes (Rikonfirmohet në detyrë)

Vengu është lindur më 24 Prill 1986, në Elbasan. Prej korrikut 2024 ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes.

Nga viti 2019 e në vijim (2024), z.Vengu ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës.  Në periudhën 2017 deri në 2019, ai ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri.

Ndërsa nga viti 2013 deri në 2017, ka qenë shefi i kabinetit në Ministrinë e Jashtme. Më herët, gjatë viteve 2010 – 2013, z. Vengu ka mbajtur rolin e Koordinatorit të Programeve Kërkimore, European Council on Foreign Relations (Paris, Francë).

Andis Salla – Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (Kryebashkiaku aktual i Cërrikut)

Andis Salla ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Bashkisë Cërrik. Ai ka kryer studimet e larta për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Është kualifikuar në vitin 2014 si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ka një sërë eksperiencash pune si jurist dhe me vonë si Drejtor i IEVP në Elbasan.

Ervin Demo – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor (Pason Arbjan Maznikun)

Demo ka lindur në Berat, në vitin 1982. Nga qershori 2019 ai ka mbajtur postin e Kryetarit të Bashkisë Berat.

Në vitin 2017 është emëruar Zëvendësministër i Arsimit Sportit dhe Rinisë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2018. Ndërsa gjatë viteve 2012-2016 ka qenë Zv/Rektor i Universitetit të Tiranës.

Ervin Demo ka një karrierë të gjatë në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë. Që nga viti 2004, ka qenë pedagog me kohë të plotë pranë departamentit të Menaxhimit, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Majlinda Dhuka –  Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë (Rikonfirmohet në detyrë)

Adea Pirdeni  – Ministre e Shtetit për antikorrupsionin (Rikonfirmohet në detyrë)

Znj. Pirdeni është lindur në Tiranë më 1 tetor 1983 dhe prej 16 janarit 2024 mban detyrën e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Prej shtatorit 2020, ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë dhe negociatore si pjesë e Grupit Negociator për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në BE për Kapitullin 23 “Gjyqësori & të Drejtat Themelore”. Në cilësinë e Zëvendësministres, Znj. Pirdeni ka mbuluar çështje të kuadrit strategjik në fushën e drejtësisë dhe antikorrupsionit.

Toni Gogu – Ministria për Marrëdhëniet me Parlamentin

Toni Gogu është jurist dhe më herët ka mbajtur pozicionin si Zëvendësministër i Drejtësisë dhe në legjislaturën e X të Parlamentit të Shqipërisë si deputet i qarkut të Tiranës.

Gogu ka një përvojë të gjatë në administratën publike dhe në hartimin e politikave ligjore që lidhen me transparencën, konfliktin e interesit dhe qeverisjen e mirë. Me formim në drejtësi dhe përvojë të gjatë në çështje ligjore e institucionale, ai ka qenë i angazhuar në disa procese reformuese që synojnë forcimin e integritetit të funksioneve publike.

Sa i përket drejtimit të Kuvendit, Rama i besoi postin e kryetarit Niko Peleshit, të nënkryetares deputetes së Durrësit Klodiana Spahiu dhe drejtimin e grupit Parlamnetar ia ribesoi Taulant Ballës. /vizionplus.tv


Rama konfirmon Belinda Ballukun zv/kryeministre të Shqipërisë, emrat e parë të kabinetit të ri

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zbuluar emrat e parë të skuadrës me të cilën do të bashkëdrejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.

Nga Pallati i Kongreseve në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste Rama rikonfirmoi Belinda Ballukun si zv.kryeministre.

Emrat e parë të kabinetit

Zv/ kryeministre – Belinda Balluku si edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Kryetar i Kuvendit – Niko Peleshi

Nënkryetar i Kuvendit – Klodiana Spahiu

Kreu i grupit parlamentar – Taulant Balla


Niko Peleshi, kryetari i ri Kuvendit të Shqipërisë

Kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste ka propozuar Niko Peleshin për kryetar të Kuvendit në legjislaturën e re që nis të premten, post të cilin deri më tani e ka mbajtur Elisa Spiropali.

Deputeten e Durrësit, Klodjana Spahiun e propozoi për nënkryetare të parlamentit, ndërsa  i ribesoi Taulant Ballës drejtimin e Grupit Parlamentar të PS-së.

Rama: Niko Peleshi kryetar Kuvendi. Në krah të Nikos, me eksperiencën e fituar, për shembullin që e ka karakteriazuar katër legjislatura Klodiana Spahiu, deputetja e Durrësit, është nënkryetarja e duhur për Kuvendin e ri. Drejtimi i Grupit Parlamentar…Besoj se ka shumë pak për tu menduar, për eksperiencën e gjatë si deputet, për njohjen e detyrës më mirë se kushdo, Taulant Balla është deputeti i duhur. /vizionplus.tv


Ogerta Manastirliu kandidate e PS-së për kryetare të Bashkisë së Tiranës

Ogerta Manastirliu është zyrtarizuar sot si kandidatja e Partisë Socialiste për kryetare të Bashkisë së Tiranës. Lajmi u bë publik nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS, ku sipas tij, vetë Manastirliu nuk ishte në dijeni për këtë vendim.

“Të ma falësh,” u shpreh Rama me humor përpara anëtarëve të asamblesë, teksa e prezantoi emrin e saj. Ai theksoi se Manastirliu përfaqëson profilin që i duhet Tiranës në këtë moment.

“Unë kam shumë besim, për shumë arsye, për përkushtimin e veçantë ndaj shërbimit publik dhe kujdesin ndaj bashkëpunëtorëve që Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës,” tha Rama.

Manastirliu ka mbajtur më parë disa poste ministrore dhe është një nga figurat më të spikatura të Partisë Socialiste në vitet e fundit. /vizionplus.tv

Back to top button