Policia sekuestron armë e drogë e municion në disa komuna të Kosovës

Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, municion e substanca narkotike në disa raste të ndara. Disa nga të dyshuarit janë intervistuar dhe pastaj liruar në procedurë të rregullt.

Bëhet e ditur se në fshatin Gadime e Ulët të Lipjanit, pas një informate për të shtëna me armë zjarri, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me një person të dyshuar. Arma e përfshirë në rast është sekuestruar dhe i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit.

Kurse në Prishtinë, në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, dje gjatë një kontrolli rutinë, te një person të dyshuar është gjetur një sasi prej 1.8 gramësh e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

“Njësitet policore gjatë patrullimit kanë ndaluar të dyshuarin kosovar dhe gjatë kontrollit te i njëjti kanë gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë në peshë 1.8 gramë. Në konsultim me prokurorin, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar policia.

Një pistoletë me karikator dhe shtatë fishekë  është sekuestruar nga njësia policore gjatë kontrollit të një veture me targa vendore në Babimos të Obiliqt.

“Njësiti policor pasi ka ndaluar veturën me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari kosovar, gjatë kontrollit të i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me karikator dhe shtatë fishekë. I dyshuari posedonte lejen e armës por nuk kishte të drejtë ta barte me vete. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës.

Në një rast tjetër në rrugën  “Zenel Hajdini” në Ferizaj, gjatë kontrollit të një veture janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 16 fishekë dhe sasi të ndryshme të substancave narkotike, përfshirë kokainë dhe marihuanë.

Në banesën e të dyshuarit janë gjetur edhe 21 fishekë dhe sasi të tjera narkotikësh. I dyshuari është ndaluar dhe dërguar në mbajtje.

Dy raste të tjera të armëmbajtjes pa leje janë evidentuar në veri të vendit. Në fshatin Oklace të Zubin Potokut është sekuestruar një pushkë e gjatë (karabinë), ndërsa në Leposaviq një person ka dorëzuar një pushkë gjuetie. Në këtë të fundit, i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

Back to top button