Abdixhiku: Koha të bëhemi bashkë, le t’i japim dritë Republikës sonë

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, ka reaguar Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Ai këtë vendim e ka cilësuar këtë si momentin më të rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai ka akuzuar qeverinë në detyrë se ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizën dhe përçarjen, duke e quajtur “shkatërruese të shtetit” dhe “shkelëse të Kushtetutës e ligjit”.
“LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë. Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!”, shkroi Abdixhiku.