NATO nis operacionin ‘Roja Lindore’ në përgjigje të ndërhyrjeve me dronë rusë

NATO ka nisur një iniciativë për të përforcuar mbrojtjen e krahut lindor të Evropës pas një ndërhyrjeje ajrore ruse me dron në hapësirën ajrore polake këtë javë, njoftoi të premten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Operacioni “Roja Lindore” do të fillojë në ditët në vijim dhe do të përfshijë asete nga Danimarka, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe vende të tjera, tha Rutte.

“Eastern Sentry do t’i shtojë fleksibilitet dhe forcë qëndrimit tonë dhe do ta bëjë të qartë se, si një aleancë mbrojtëse, ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbrohemi”, shtoi ai.

Rutte tha se inkursioni me dron “i rrezikshëm dhe i papranueshëm” i Rusisë të mërkurën “nuk ishte një incident i izoluar”.

“Pakujdesia e Rusisë në ajër, përgjatë krahut tonë lindor, po rritet në frekuencë”, tha Rutte.

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, Gjenerali Amerikan Alexus Grynkewich, tha se operacioni, i cili do të jetë “fleksibël dhe i shkathët”, do të përfshijë aftësi të zgjeruara, mbrojtje të integruara ajrore dhe tokësore dhe rritje të shkëmbimit të informacionit midis partnerëve të NATO-s.

Grynkewich vuri në dukje se do të duhet pak kohë që i gjithë operacioni të përfundojë, por hapat e parë do të fillojnë “menjëherë”.

Ndër pajisjet e dedikuara për operacionin janë dy avionë F-16 dhe një fregatë luftarake kundërajrore nga Danimarka, tre Rafale nga Franca dhe katër Eurofighter nga Gjermania, sipas një njoftimi për shtyp nga aleanca./21Media

Back to top button