Çiklizmi sport në rritje, por klubet kosovare përballen me sfida të mëdha

Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, ka folur për zhvillimin e këtij sporti në vend, sfidat me të cilat përballen klubet, kostot e larta, por edhe synimet për organizimin e garave të mëdha ndërkombëtare në Kosovë.

Nuha në një intervistë për KosovaPress, vlerëson se pas pandemisë çiklizmi ka marrë hov të madh dhe thekson se federata aktualisht ka nëntë klube të licencuara, me “Kastriotin” e Ferizajt si ekipin më të fortë që përbën pjesën më të madhe të kombëtares.

“Pas vitit 2020 të pandemisë ka filluar një ekspansion i jashtëzakonshëm i çiklizmit, jo vetëm në Kosovë por në të gjithë globin, unë mendoj që vitin e ardhshëm të shikojmë nëpër shkolla që të futet ndoshta edhe në kurrikula që të bëhet përgatitja në kohën e hershme dhe klubet t’i kenë të gatshëm dhe pastaj së bashku me programin ‘Sporti Shkollor’ të bëjmë aktivitete dhe të zbulojmë ndonjë talent. Federata e çiklizmit për momentin i ka të licencuara nëntë klube, por mbi të gjitha Klubi i Çiklizmit ‘Kastrioti’ nga Ferizaj është me top ekip dhe ka përbërë mbi 80 përqind të ekipit të Kombëtares së Kosovës”, thotë fillimisht Nuha.

Kreu i federatës paralajmëron se mungesa e mbështetjes financiare nga komunat dhe vështirësitë e mëdha të sportit, rrezikojnë ekzistencën e klubeve të çiklizmit në Kosovë.

“Duhet të punohet shumë, është sport shumë i rëndë, ka një kosto të jashtëzakonshme dhe ne nuk mund të futemi me biçikleta me kosto të lirë dhe të jemi të barabartë. Nëse përgatitjet teknike ne jemi të barabartë, mirëpo nevojitet që klubet të punojnë më shumë. Klubet kanë rënë disi, ndoshta është edhe mungesë e subvencioneve nga komuna, por nëse pritet kjo atëherë nuk do të ketë ndoshta edhe klube në të ardhmen”, thekson Nuha.

Sipas Nuhës, vetëm pajisjet bazë për një çiklist arrijnë në mbi 10 mijë euro, duke e bërë këtë sport ndër më të kushtueshmit dhe më sfiduesit për t’u zhvilluar në Kosovë.

“Minimum dy biçikleta, një për ushtrime një për gara dhe kjo kosto normale për Kosovë është 10 mijë euro vetën biçikletat, pastaj shkojnë rekuizitat dimërore, verore, kundër shiut, helmeta, dorezat, këpucët janë shumë të shtrenjta speciale për biçikletë dhe kështu shkon kostoja bukur e madhe. Por, mbi të gjitha kur përgatitet një çiklist është sport shumë i rëndë për përgatitje fizike pasi në 200 kilometra duhet ta ketë ushqimin të perfeksionuar”, bën të ditur Nuha.

Ai shpalos ambicien që Kosova së shpejti të presë Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit, duke e parë këtë si një mundësi jo vetëm sportive, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë vendore.

Nuha: Së shpejt synojmë ta organizojmë Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit në Kosovë

“Unë mendoj që në të ardhmen dhe me bisedën që e kemi tani në Ruanda mendojmë që brenda dy viteve ta organizojmë Kampionatin Ballkanik të Çiklizmit të të gjitha kategorive në çiklizmin rrugor në Kosovë. Por, është edhe një test gara e Doën Hill Çiklizmit që do të mbahet…Sepse edhe bukuritë natyrore na mundësojnë që të bëjmë një aktivitet shumë të madh në çiklizëm. Këtu pastaj nuk është vetëm sporti, por edhe turizmi, zhvillimi ekonomik dhe bukuritë natyrore që i kemi në Kosovë.”, tha ai.

Nga aktivitetet vendore dhe ndërkombëtare që organizon federata, Nuha deklaroi se ka për synim që për këtë vit, Federata e Çiklizmit të ngritët nga kategoria C në kategorinë B, në kategorizimin e Ministrisë së Sportit për federata, gjë e cila pastaj do të sillte edhe më shumë buxhet në federatën.

Back to top button