Hapja e kapitujve, Rama: Hera e parë që kemi zgjedhur me kë të martohemi

Shqipëria hapi sot katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në Bruksel u mbajt Konferenca e 6-të ndërqeveritare me Unionin evropian për Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, ku u hapën 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian: Politika e transportit, Energjia, Rrjetet trans-evropiane, Mjedisi si dhe ndryshimet klimatike.

Pas Konferencës Ndërqeveritare, Kryeministri Rama ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me Marie Bjerre, Ministre e Çështjeve Europiane, Mbretëria e Danimarkës dhe Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin.

Kreu i qeverisë tha se është hera e parë që një vend, kandidat për në BE hap 5 grupkapituj në 11 muaj. Me nota humori, Rama theksoi se kjo është gjithashtu hera e parë që Shqipëria ka zgjedhur me kë të martohet.

“Kam shumë mirënjohje. Sot çelëm një tjetër grupkapitull që në fakt përbëjnë 5 grupkapituj në 11 muaj dhe mesa di unë, ky është një rekord. Presim me padurim të çelim grupkapitullin e fundit përpara mbylljes së këtij viti dhe me shpresë do ta bëjmë së bashku. Siç e theksoi edhe Marta, kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrjen e një shpërblimi një herë e përgjithmonë, por të realizojmë çdo ditë. E dimë që ka sfida, por e dimë që nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe më së fundi kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi. Jemi martuar me detyrim me Perandori të tjera në të shkuarën, por kjo është një Perandori pjesë e së cilës duam të jemi. Një perandori vlerash, sigurie dhe sigurimi ku qytetarët tanë do të sigurohen që të drejtat  dhe liritë e tyre nuk do të merren nga askush që vjen më pas.”, tha Rama.

Back to top button