Humb jetën një 59-vjeçare, dyshohet se ra në kanalin e Ibër-Lepencit

Një grua 59 vjeç ka vdekur sot në mëngjes në veri të Mitrovicës, pasi që dyshohet se ka rënë në kanalin e Ibër Lepencit.

Policia njofton se rreth orës 07:20, policia në Zubin Potok ka pranuar informatën se një person kishte dalë nga shtëpia e tij në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 06:40, dhe dyshohej se kishte rënë në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Menjëherë pas pranimit të informatës njësitë policore së bashku me zjarrfikësit, kanë ndërmarrë veprimet e kërkimit në terren. Rreth orës 08:00 diku rreth 3 kilometra nga vendi ku dyshohej se kishte rënë viktima, është gjetur trupi i pajetë në ujërat e kanalit të Ibër Lepencit dhe e njëjta është nxjerrë jashtë kanalit”, njoftoi policia.

Viktima është identifikuar me inicialet R.M..

Bëhet e ditur se në vendngjarje kanë dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen, po ashtu në vend-ngjarje kanë dalë edhe njësit e hetimeve rajonale.

“Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij, trupi i pa jetë është dërguar për obduksion”, ka bërë të ditur policia./21Media

Back to top button