Nora Gjakova debuton si trajnere në Kupën Evropiane për Senior

Federata e Xhudos së Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen e ekipit kombëtar në Kupën Evropiane për Senior, e cila mbahet më 20-21 shtator 2025 në Shkup, Maqedoni e Veriut. Në këtë garë pritet të marrin pjesë rreth 300 garues nga 30 shtete të ndryshme.
Kosovën do ta përfaqësojnë tre xhudistë:
Dardan Cena (-73kg) – garon më 20 shtator
Anes Veseli (-90kg) – garon më 21 shtator
Shpati Zekaj (-100kg) – garon më 21 shtator
Lajmi më i veçantë për këtë edicion është debutimi i kampiones olimpike dhe botërore, Nora Gjakova, në rolin e trajneres. Ajo do të udhëheqë për herë të parë ekipin e Kosovës në një garë ndërkombëtare, duke shënuar kështu fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e saj sportive.
Ky është një hap i rëndësishëm jo vetëm për Gjakovën, por edhe për zhvillimin e mëtejmë të xhudos kosovare, e cila vazhdon të ndërtojë traditën e saj të suksesit në skenën evropiane e botërore.