Kryeqyteti hap dyert për vajzat – Dorëzon fushën e parë të dedikuar vetëm për to!

Sot në Bardhosh u shënua një ditë historike për futbollin e vajzave në Kosovë. Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me KFV Prishtina, dorëzoi zyrtarisht fushën e parë të futbollit të dedikuar ekskluzivisht për vajzat.
Ceremonia u mbajt në prani të Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, përfaqësuesve të KFV Prishtina, trajnereve, prindërve, vajzave dhe përfaqësuesve të komunitetit sportiv. Një Hapësirë për Ëndrra dhe Barazi Fusha e Bardhoshit nuk është thjesht një terren sportiv.
Ajo përfaqëson një hapësirë ëndrrash ku vajzat nga të gjitha komunitetet e Kosovës do të stërviten, do të rriten dhe do të ndihen pjesë e barabartë e sportit. Në një realitet ku vajzat shpesh përballen me vështirësi për të siguruar terma në fushat e klubeve të dominuara nga djemtë, ky investim është një hap i madh drejt krijimit të një hapësire të sigurt dhe gjithëpërfshirëse vetëm për to.
Misioni i KFV Prishtina KFV Prishtina është klubi i vetëm i pavarur i vajzave në Kosovë dhe ekipi i vetëm i kryeqytetit që garon në Superligën e Kosovës. Klubi stërvit dhe mbështet vajzat nga mosha 5 vjeç e deri te seniorët, pa asnjë pagesë, duke përfaqësuar një model unik në vend. Mbi 30 vajza nga KFV Prishtina janë pjesë e të gjitha grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, nga Kombëtarja A deri te gjeneratat më të reja – një tregues i qartë i cilësisë së punës së klubit.
Nën drejtimin e kryetrajneres Suada Jashari dhe stafit profesional, KFV Prishtina punon çdo ditë për të fuqizuar vajzat dhe për t’u dhënë atyre hapësirën që meritojnë në sport. Klubi është i përkushtuar të përfshijë vajza nga të gjitha komunitetet, duke e shndërruar futbollin në një mjet për ndërthurje sociale dhe ndërtim paqeje. Partneritet dhe Mbështetje Institucionale Ky hap u bë i mundur falë marrëveshjes strategjike mes Komunës së Prishtinës dhe KFV Prishtina, si dhe projektit të përbashkët me UEFA Foundation for Children, nën patronatin e Presidencës së Republikës së Kosovës.
Përmes këtij partneriteti do te sigurohet mbështetje dhe fonde për investimet e para që do ta shndërrojnë fushën e Bardhoshit në një qendër moderne ku edukimi, sporti dhe barazia gjinore bashkohen në një vizion të përbashkët. Sfidat e Klubeve të Vajzave Për vite me radhë, klubet e futbollit të vajzave në Kosovë janë përballur me sfida strukturore: orare të kufizuara për stërvitje, terrene të zëna nga ekipet e djemve dhe mungesë të investimeve të qëndrueshme.
Për shkak të mungesës së terreneve të lira në kryeqytet, ndeshjet e Superligës KFV Prishtina i zhvillon në stadiumin e Lipjanit, një pengesë logjistike që rrit kostot dhe vështirësitë për ekipin dhe familjet e lojtareve. Dorëzimi i kësaj fushe përbën hapin e parë drejt ofrimit të kushteve të barabarta që vajzat kanë merituar gjithmonë.
Një Thirrje për Komunitetin KFV Prishtina fton të gjithë prindërit, familjet dhe dashamirësit e sportit të bëhen pjesë e kësaj nisme, duke e mbushur fushën me energji, zëra dhe ëndrra. Kjo hapësirë do të shërbejë si shtëpia e re e futbollit të vajzave, ku çdo vajzë do të ketë mundësinë të luajë, të mësojë dhe të zhvillohet në një ambient të sigurt dhe motivues.
