Ndalohen fluturimet mbi zonën operacionale të KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot e ka pranuar vendimin e KFOR-it, sipas të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime, me theks të veçantë të dronëve.

“Ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes. KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj”, thuhet në njoftim.

Sipas Ligjit, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës.

“Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj”, thuhet në njoftim.

Back to top button