Ndahet nga jeta ikona e filmit, Enver Petrovci

(Lajm i përditësuar)


Kurti për Enver Petrovcin: Sot Kosova humbi një thesar kombëtar

Kryeminitri në detyrë, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktorit dhe regjisorit, Enver Petovci.

Kurti përmes një postimi në “Facebook” e ka vlerësuar jetën dhe veprën e tij duke thënë se me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit, regjisorit dhe pedagogut tonë Enver Petrovci. Kujtesa energjike dhe qartësia e mendimit e bënin të veçantë: në çdo takim përçonte frymëzim me liri shprehjeje, kurse me vështrime lucide e humor vitruoz ndriçonte çdo bisedë.
Para veprës së tij shtrihet një kaleidoskop artistik i pamasë. Ai ishte themelues i Teatrit “Dodona” dhe i Shkollës së Aktrimit, profesor në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, i dashur për aq shumë gjenerata studentësh. Me rolet e tij të paharrueshme dhe profesionalizmin e përpiktë, ai e ngriti teatrin dhe filmin tonë në skenën vendore, rajonale dhe evropiane.
Sot Kosova humbi një thesar kombëtar, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e gjallë, pasuri e përbashkët që institucionet tona dhe komuniteti i artistëve do ta ruajnë e përcjellin brez pas brezi. Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve.”, ka shkruar Kurti./21Media


Rama për Petrovcin: Aktor i jashtëzakonshëm, e njeri i dashur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur, Enver Petrovci.

Rama përmes një postimi në Facebook, e ka vlerësuar si të jashtëzakonshëm dhe të dashur Petrovcin.

“Aktor i jashtëzakonshëm, njeri i dashur dhe keqardhje e madhe… Prehu në paqe Enver Petrovc”, shkroi Rama.


Osmani: Kujtimi për Enver Petrovcin do të jetojë përherë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen Petrovci pas ndarjes nga jeta të aktorit dhe regjisorit të njohur, Enver Petrovci.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit dhe regjisorit, Enver Petrovci. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të kulturës sonë. Me talentin dhe veprën e tij i dha artit tonë profesionalizëm dhe dinjitet. Kujtimi dhe kontributi i tij do të jetojnë përherë në skenat tona dhe në kujtesën e popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo u shpreh se bashkëndjen me dhimbjen e familjes, duke u inkurajuar ata që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje.

“I përhershëm qoftë kujtimi për Enver Petrovcin”, shkruhet në njoftimin e Presidencës.


Rafuna: Lamtumirë profesori im, Enver Petrovci

Aktori i njohur, Naser Rafuna, ka ndarë me publikun një mesazh prekës e plot dhimbje pas ndarjes nga jeta të profesorit të tij të dashur, Enver Petrovci,

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai shprehu mirënjohjen e pafund për mësimet, shembullin dhe dashurinë që profesor Petrovci i dha, duke e cilësuar atë si një dritë që vazhdon të ndriçojë edhe pas largimit nga kjo botë.

‘’U largua nga kjo botë për një tjetër më të mirë inshaAllah. Ne lutemi Zotit të të Mëshiroj, sepse ti je ndarë nga kjo botë por gjithnjë do të jesh në zemrat tona. I dashur për ne, me dhimbje të pafund, i mençur dhe i durueshëm, ti ke ndriçuar jetët tona me dritën e dijes dhe përvojës. Falënderojmë Zotin që më dha mundësinë të jem student i tij në UP, të mësoj nga urtësia e tij dhe të shoh në atë që më dha si shembull për jetë dhe profesion. Bachelor dhe Master i përfundova te ky kolos arti dhe isha Asistent i tij, çdo ditë, më mbajti pranë dritës së dies. Me shumë mall dhe mirënjohje, mbajmë këtë borxh ndër zemra që s’u shlye kurrë. Shpresa jonë është në dhënien e Zotit që, përmes lutjeve, të pranojë këtë borxh të pamundëshëm. Faleminderit për gjithçka, për çdo ditë, për çdo mësim, për çdo shenjë dashurie. U prehesh në paqe, derisa të takojmë sërish në dritën e përjetshme. Lamtumirë profesori im, mësuesi jonë Enver Petrovci”, u shpreh Aktori me dhimbje të fellë. /21Media


Basha për Petrovcin: Kosova dhe arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Enver Petrovci.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha ka thënë se Enver Petrovci është dhe do të mbetet ikonë e spikatur e skenës dhe ekranit shqipta që me talent dhe me vepra të shumta do të jetojnë ndër breza.

Me dhembje të thellë pranova lajmin për largimin në amshim të aktorit të mirënjohur, Enver Petrovci.
Kosova dhe mbarë arti shqiptar sot humbën një nga figurat më të shquara të kulturës sonë. Enver Petrovci ishte dhe do të mbetet nga ikonat e spikatura të skenës dhe ekranit shqiptar, një aktor me shpirt të madh, me talent dhe me vepra të shumta që do të jetojnë ndër breza. Ai i dha jetë qindra personazheve, por mbi të gjitha i dha frymë teatrit, kinematografisë dhe artit tonë kombëtar, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë popullore. Me këtë rast, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, miqve dhe kolegëve të të ndjerit, dashamirëve të artit dhe mbarë komunitetit artistik. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Basha. /21Media


Teatri Kombëtar shpreh ngushëllime për vdekjen e Enver Petrovcit

Teatri Kombëtar i Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të njohur Enver Petrovci.

Në telegramin e shkruar në Facebook, teatri ka theksuar se informacionet lidhur ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci. Teatri Kombëtar i Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike. Informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, thuhet në telegramin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.


Ndahet nga jeta ikona e filmit, Enver Petrovci

Aktor dhe regjisor shqiptar Enver Petrovci ka ndërruar jetë.

Lajmi është bërë i ditur nga një familjar i aktorit.

“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, ka shkruar familjari i tij.

Petrovci vdiq në moshën 71-vjeçare.

Ai ishte një aktor dhe regjisor shqiptar. Fillimisht studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.

Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” me rolet e luajtura aty u bë i njohur në mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.

Pas mbarimit të luftës në ish Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, shqiptare dhe ndërkombëtare.

Petrovci ishte njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Univerisitetin e Prishtinës.

Nëvitin 1989 ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku dhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

Back to top button