Dy pjesëtarë të policisë gjejnë dhe kthejnë një shumë parash të humbura në Shtime

Më 18 shtator 2025, gjatë patrullimit në këmbë në sheshin “Ahmet Shtimja” në Shtime, dy policë të stacionit policor në Shtime kanë gjetur në tokë një shumë parash: katër kartëmonedha nga 100 € dhe dy kartëmonedha nga 50 €, me vlerë totale prej 500 €. Sipas policisë, paratë janë dërguar menjëherë në stacionin policor dhe është njoftuar menaxhmenti i stacionit.

“Nëpërmjet kamerave të sigurisë është identifikuar personi që i kishte humbur paratë, i cili ishte larguar me një automjet me targa të huaja. Pas verifikimit, është konstatuar se bëhet fjalë për një 32-vjeçar, L.R., nga komuna e Shtimes, i cili është paraqitur në polici dhe i janë kthyer paratë të humbura”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj falënderon dy pjesëtarët e policisë së stacionit në Shtime për gjestin e tyre human dhe shembullor, duke dëshmuar përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe respektim të vlerave profesionale.

“Ky akt rrit besimin e qytetarëve dhe kontribuon në forcimin e imazhit të Policisë së Kosovës si institucion i përgjegjshëm dhe i besueshëm”, thuhet në komunikatë.

Back to top button