Përurohet Poliklinika Specialistike në Podujevë, investim prej mbi 2 milionë euro

Në vlerë mbi 2 milionë euro është përuruar sot (e martë) Poliklinika Specialistike në Podujevë, një projekt i cili do të ofrojë 15 shërbime të specializuara për qytetarët e kësaj komune.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky është një investim me rëndësi të veçantë për qytetarët e Podujevës dhe të trevës së Llapit.

“Investim shumë i rëndësishëm për Podujevën, për trevën e Llapit. Ky institucion shëndetësor tashmë është i gatshëm të ofrojë shërbime të specializuara për qytetarët, duke shmangur nevojën për udhëtime në Prishtinë për çdo vizitë specialistike. Patëm kënaqësi t’i shohim këto ambiente të reja, me rregull, disiplinë, pastërti, ndriçim të përshtatshëm, dyer të gjera e tavane të larta. Në këtë poliklinikë do të ofrohen 15 shërbime specialistike, të cilat përfshijnë internistikë, kardiologji, reumatologji, endokrinologji, hematologji, gastroenterologji dhe nefrologji, pastaj kirurgji: kirurgji abdominale, torakale, urologji, vaskulare dhe ortopedi, si dhe gjinekologji, pediatri, pulmologji, neurologji, e gjithashtu edhe analiza laboratorike dhe shërbimi i radiologjisë. Reparti i hemodializës ka filluar para një muaji e gjysmë dhe tashmë po funksionon brenda kësaj poliklinike. Vlera e përgjithshme e investimeve për këtë institucion shëndetësor arrin afër 2 milionë e 430 mijë euro, dhe do të vazhdojmë edhe me investime të tjera në Komunën e Podujevës, për të mirën e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se ky është një moment i rëndësishëm për komunën.

“Moment i gëzuar për gjithë qytetarët e komunës sonë, sepse po i realizojmë ato të cilat i kemi premtuar në fillim të mandatit tonë, dhe sot i kemi edhe 15 shërbime të reja shtesë në poliklinikën tonë… Dhe tashmë, nga sot, qytetarët tanë nuk do të kenë nevojë që të maltretohen në pritje të gjata për të kryer shërbime specialistike në Shërbimin Spitalor atje në Prishtinë”, ka thënë ai.

Back to top button