PZAP-ja gjobit PDK-në me 5500 euro e LDK-në me 2500 euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Për PDK-në u ankua Lëvizja Vetëvendosje, si shkak i gjuhës së përdorur nga kandidati për kryetar të Skënderajt nga PDK, Sami Lushtaku.
PDK-ja për këtë u gjobit me 5 mijë e 500 euro.
Kurse, më 21.09.2025 PDK ishte ankuar në PZAP për LDK-në. Në ankesë, PDK ka deklaruar se kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, Përparim Rama ka publikuar një video të titulluar “Ekskluzive! Sonte në orën 20:00 në T7”, në video në të cilën ai shfaqet në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës duke shpërndarë informacione rreth programit të tij zgjedhor.
PDK ka pretenduar se Rama ka shkelur ligjin duke përdorur institucionin për qëllime të fushatës, me ç’rast edhe ka bashkëngjitur videon në fjalë. LDK nuk ka komentuar pretendimet e PDK-së.
PZAP ka vendosur që përveç gjobës prej 2 mijë e 500 euro të detyrojë edhe Ramën që ta largojë videon në fjalë nga rrjetet sociale.