Konfirmohet: Ora luksoze e Mozzik është false

Reperi i njohur, Mozzik, kohët e fundit ka bërë bujë me atë që u paraqit si orë luksoze “Richard Mille”, të cilën e ekspozoi në rrjetet sociale, si dhuratë që thoshte se ia kishte bërë vetes për ditëlindje.

E me të hyrë në Kosovë, ajo u konfiskua nga Dogana e Kosovës, me arsyetim se nuk e kishte deklaruar.

Për këtë çështje, Dogana kishte dalë edhe me reagim zyrtar.

Në njoftim ishte thënë se janë zbuluar dhe ndaluar përkohësisht dy orë luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar nga një udhëtar gjatë kalimit në Kanalin e Gjelbër. Bëhet fjalë për një Richard Mille dhe një Rolex, me vlerë totale 1.340.027,50 euro.

Por, ekzaminimet për këtë orë treguan se ajo është false.

Kështu të paktën bëri të ditur shoqëria e avokatëve “Vokshi&Lata”, që njëherësh janë edhe përfaqësues ligjorë të kompanisë zvicerane “Richard Mille”.

“Ora e ndaluar në Doganën e Kosovës nuk është origjinale Richard Mille”, thuhet në reagim.

Si përfaqësues ligjorë të markës prestigjioze zvicerane “Richard Mille”, kompania tha se konfirmojmë se ora e sekuestruar së fundmi nga Dogana është një falsifikat, sipas verifikimit zyrtar të kryer nga kompania “Richard Mille”.

“Rezultati është komunikuar tashmë zyrtarisht me Doganën e Kosovës dhe procedurat ligjore do të vazhdojnë”, tha kompania e avokaturës në fjalë.

Back to top button