Kurti: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk e dorëzon Radojçiqin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot bëri homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku.
Pas homazheve Kurti tha se heroi Afrim Bunjaku ra duke mbrojtur qytetarët pa dallim, duke mbrojtur rendin dhe ligjin.
“Tash të gjithë ne bashkë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e vet, këtë hero të Kosovës.
Me këtë rast dua të theksoj guximin e dyfishtë të heroit Afrim Bunjaku. Në njërën anë ai ia mësyu i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit… Dua të theksoj edhe aspektin tjetër të guximit të Afrim Bunjakut, e ky është fakti që ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të ri se ai t’ia mësyjnë bllokadës e cila ishte vendosur në rrugë nga kamionët e grupit terrorist, paramilitarë të Serbisë, të udhëhequr nga Milan Radoiçiqi”, tha Kurti.
Më tej Kurti tha se guximi i Bunjakut u pasua edhe nga policët tjerë, Alban Rashiti e Mirsad Kryeziu.
Deriosa shtoi se Serbia nuk duhet të konsiderohet si shtet normal nga ndërkombëtarët.
“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq, aktakuza përfshinë 45 persona këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, tha Kurti.