Tony Blair “mund ta qeverisë Gazën”, sipas modelit të Kosovës

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dëshiron ta udhëheqë Gazën sapo që lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit të marrë fund. Ai veçse ka përgatitur një plan për t’i dhënë fund luftës. Këtë e ka bërë nëpërmjet ‘think-tankut’ të tij, “Instituti Tony Blair (TBI)”. E sipas mediave ndërkombëtare, një nga idetë që mund të shfrytëzohet për ta qeverisur Gazën është ajo e modelit të administrimit të Kosovës në vitet e pasluftës deri në kalimin e plotë të kompetencave te institucionet e pavarura të Kosovë.
“The Telegraph” ka raportuar të enjten se Tony Blair është ofruar që ta udhëheqë një qeveri të përkohshme në Gaza nën kushtin që pushteti më pas do t’i jepej Autoritetit Palestinez që e ka udhëhequr Rripin e Gazës deri më 2006.
Ai e ka përkrahjen e disa figurave të pushtetshme, përfshirë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe Steve Witkoff, emisarin special të Trumpit. Në një takim me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, Kushner dhe Witkoff kanë thënë se ish-lideri laburist mund të udhëheqë administratë të përkohshme në Gazë.
Burimet i kanë thënë “The Economist” se Tony Blair ka vullnet “ta sakrifikojë kohën e tij” për t’i dhënë fund luftës dhe për ta menaxhuar Gazën.
Trumpi e ka mbështetur planin para se t’ua prezantojë idenë liderëve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë shteteve arabe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York.
“Ndoshta mund t’i japim fund luftës qysh tash”, raportohet t’u ketë thënë ai atyre.
Pas largimit nga posti i kryeministrit e deri më 2015, ish-kryeministri Blair ka qenë emisar special i Kuartetit në Lindjen e Mesme (trupë e përbërë prej OKB-së, SHBA-së, BE-së dhe Rusisë), që ndërmjetëson procesin e paqes Izrael-Palestinë.
Zëdhënësi i Tony Blairit ka refuzuar të komentojë mbi këto raportime.
Trumpi të enjten në një konferencë krah presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër.
Burimet i kanë thënë në të kaluarën “The Telegraph” se Tony Blair ka qenë duke punuar për një plan për fundin e luftës, që kur shpërtheu në tetor të 2023-s. Plani i tij, i përditësuar dhe rishikuar në vazhdimësi, nuk përfshin çështje të zhvendosjes së palestinezëve, por krijimin e një trupe të përkohshme të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën (GITA). I themeluar nga OKB-ja, GITA do ta udhëhiqte Gazën e pasluftës për disa vite para se të kalonte pushteti te Autoriteti Palestinez, që do të duhej të kalonte nëpër reforma paraprakisht.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?