Policia jep detaje për aksidentin në rrugën Suharekë-Shtime

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin me fatalitet që ndodhi mbrëmë në rrugën Suharekë-Shtime, ku ka humbur jetën një person dhe katër të tjerë kanë pësuar lëndime.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i veturës ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës duke u ndeshur frontalisht me autobusin.
Tutje, bëhet e ditur se tre nga të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa drejtuesi i veturës me lëndime të rënda është dërguar për trajtim në QKUK.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet policore për menaxhimin e aksidenteve, si dhe njësia e hetimeve dhe prokurori i rastit.
“Me vendim të prokurorit është urdhëruar ndalimi i të dyshuarit – drejtuesit të veturës”, bëhet e ditur në raport.
“Raportohet se si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur midis një veture dhe një autobusi, një mashkull kosovar ka ndërruar jetë, ndërsa katër persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur drejtuesi i veturës ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka kaluar në shiritin e kundërt të rrugës duke u ndeshur frontalisht me autobusin. Tre nga të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit, ndërsa drejtuesi i veturës me lëndime të rënda është dërguar për trajtim në QKUK. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori që ka urdhëruar që i dyshuari (drejtuesi i veturës) të ndalohet, ndërsa trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?