Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është shi vere, nuk ndalet drejt “Rilindjes Urbane 2.0”

Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.

Ndërsa ndau sot pamje nga këto ndërhyrje, kryeministri Edi Rama ritheksoi edhe një herë tjetër se ky është një operacion që nuk do të ndalet deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike, shkruan ATSH.

Kryeministri theksoi se “ky nuk është as shi vere dhe as aksion, por një operacion për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0”.

“Gabimisht shumëkush e mendoi një shi vere, të tjerë e komentuan si aksion që do zgjaste sa vera, por kush besoi se ky nuk është as shi vere dhe as aksion, po një operacion që nuk do të ndalet deri në çlirimin e plotë të hapësirave publike, për t’i hapur rrugë Rilindjes Urbane 2.0 pati të drejtë mesa duket”, u shpreh Rama.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.

Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.

Ndërkohë, një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.

Deri më sot në këtë portal janë raportuar 12 491 raste, nga të cilat janë zgjidhur 9122 raste, ndërsa 3369 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi./kp

Back to top button