Lladrovci, Hajdari dhe Berisha nuk u përballën në RTV21, kundërshtarët thonë se kanë frikë nga debati

Në debatin zgjedhor RTV21, ku po diskutohet gara për Komunën e Drenasit, munguan tre kandidatë, Ramiz Lladrovci nga nisma “Për Drenasin Kampion”, Ajvaz Berisha nga Bashkimi Demokratik (BD), si dhe Petrit Hajdari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Mungesa e tyre ngjalli reagime të forta nga kandidatët pjesëmarrës.

Egzona Tërdevci nga LVV-ja e cilësoi mospraninë e tyre  si vazhdimësi e një skenari të njohur: “Jemi mësuar me dy kandidatët e PDK-së që nuk vijnë në debat. Me mosardhjen e tyre, po tregojnë se, ashtu siç kanë qenë bashkë gjithmonë, janë edhe tash – janë ndarë vetëm në sy të publikut.”

Ajo tutje tha se ka një ”aleancë të heshtur” mes Ramiz Lladrovcit dhe Petrit Hajdarit, duke aluduar se ndarja mes tyre është më shumë formale sesa reale, me qëllim për të manipuluar opinionin publik.

Gazmend Heta nga LDK-ja e quajti neglizhencë politike vendimin për të mos u paraqitur në debat.

“Nëglizhenca e tyre për të mos marrë pjesë në debat nuk reflekton pozitivisht. Ose nuk kanë çfarë të shfaqin para qytetarëve, ose besojnë se fitoren e kanë të garantuar.”

Ai e vendosi theksin te mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, duke nënvizuar se arroganca politike dhe sigurimi paraprak për fitore mund të jenë shenja alarmi për qytetarët.

Beqir Kiqina nga AAK tha se ”I ftoj të tre kandidatët e strukur të PDK-së të vijnë e të përballen me fakte dhe argumente. U bëj thirrje qytetarëve që të penalizojnë ata që nuk guxojnë të ballafaqohen me ne.”

Ai nuk kurseu asgjë në adresimin e kundërshtarëve, duke e quajtur mosardhjen e tyre jo strategji, por mungesë guximi për t’u përballur me realitetin e qeverisjes dhe kërkesat e qytetarëve.

Kurse, Naim Bazaj, Për Drenas dhe Kosovë shtoi se “I ftoj edhe ata, por edhe qytetarët e Drenasit, të mos bien pre e provokimeve. PDK-ja është duke e përçarë Drenasin – sidomos Memli dhe Abelard Tahiri, të cilët po krijojnë ndasi në komunë”./21Media

Back to top button