“Është harxhuar”, “nxënës i dobët”, “i tutet ballafaqimit” – kundërkandidatët për mungesën e Muhaxherit në debat

Në debatin zgjedhor në RTV21 të rezervuar për komunën e Pejës nuk erdhi kandidati i LDK-së dhe kryetari aktual i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, i cili ka thënë se nuk preferon të përballet me kundërkandidatët e tij.

Si rrjedhojë e kësaj, kandidati i LVV-së, Taulant Kelmendi, ka thënë se pa qenë prezent kryetari aktual në debat, nuk merr pjesë as ai. Kandidatja e PDK-së, Arta Nallbani, mungesën e saj pak orë para se të niste emisioni, e ka arsyetuar me probleme shëndetësore, derisa kandidati i AAK-së, Ali Berisha, ka thënë se partia e ka caktuar mbledhjen e shtabit zgjedhor në këtë komunë dhe nuk mund të jetë prezent.

E lidhur me mungesën e kryetarit Muhaxheri në debat, u pyet për koment kandidati i Alternativës për kryetar të Pejës, Reshat Nurboja. Ai e quajti Muhaxherin jo parimor dhe jo të vërtetë.

“Ai thotë se nuk e kam planifikuar me u taku me kandidatët e tjerë, ndërsa realiteti është ndryshe. Ai në dy debate vetëm ka bashkëbiseduar në debat, por e ka kuptuar edhe ai vetë që s’ka çka me thënë, është shpenzuar, i përsërit për 14 vjet, sepse përveç që për 12 vjet ka qenë kryetar, për dy vjet ka qenë edhe nënkryetar dhe drejtor i urbanizmit në pushtetin e Ali Berishës. Dhe për këtë ballafaqimi për të është shumë i vështirë. Ende e ka një opinion dashamirës tek qytetarët që mendojnë se ai është më i miri, ndërsa faktet tregojnë se nuk ka pasur kryetar më të dëmshëm, s’ka pasur Peja”, tha ai duke falënderuar kandidatët që mungojnë, pasi që tha se iu krijohet më shumë hapësirë mediatike.

Në anën tjetër, kandidati Vehbi Avdullahaj nga Nisma tha se mendon që Muhaxheri është kryetar i harxhuar dhe ballafaqimi me ta është se pse mendojnë që dinë më shumë për të.
“Ia di dobësitë dhe për këtë arsye ik”, tha ai.

Kurse kandidati i pavarur Gani Veselaj, pasi komplimentoi RTV21 për korrektësinë.

“Unë dyshoj se kanë marrëveshje mes veti. Ato partitë më të mëdha po e konsiderojnë veten të pathyeshme.Theks të posaçëm ju jap edhe disa mediumeve të juaja si kolegë që janë selektivë, neve po na denigrojnë dhe po na diskriminojnë, që ne nuk do të hezitojmë që edhe në KMP t’i bëjmë ankesat e duhura”, tha ai.

Derisa kandidati i pavarur Jeton Abazaj e krahasoi Muhaxherin me “nxënës të dobët që kur sëmuret nuk do me shku në shkollë”.

“Po veç po i çoj mesazh sonte që më mirë është me marrë 2 në gjysmëvjetorin e parë se në të dytin e merr e ngel”, tha ai./21Media

Back to top button