​FFK i drejtohet UEFA-s për thirrjet kundër Kosovës nga tifozët serb gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar ashpër pas ndeshjes Serbi – Shqipëri, duke dënuar thirrjet në kor kundër Kosovës dhe banderolat provokuese të shfaqura në tribunat e stadiumit të Leskovcit, ku u pa një flamur serb mbi hartën e Kosovës.

Në reagimin e saj, FFK thekson se këto skena janë të përsëritura në stadiumet serbe dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe mesazhe fyese ndaj shteteve fqinje, pa ndëshkim të mjaftueshëm nga autoritetet përkatëse.

“Veprime të tilla bien ndesh me frymën sportive, me parimet e respektit dhe me vlerat që UEFA dhe FIFA përfaqësojnë,” thuhet në deklaratën e FFK-së.

Federata ka paralajmëruar se do të paraqesë një notë proteste zyrtare në UEFA, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të qarta dhe të rrepta ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë për aktet e përsëritura që dëmtojnë imazhin e futbollit dhe cenojnë parimet e organizatave ndërkombëtare.

Në fund të reagimit, FFK ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për fitoren e merituar 1:0 ndaj Serbisë, duke e cilësuar atë si një fitore që “pasqyron karakterin, përkushtimin dhe forcën e futbollit shqiptar”.

“Federata e Futbollit e Kosovës do të vazhdojë të mbrojë me dinjitet vlerat e sportit, të respektit dhe të barazisë mes popujve, duke kërkuar që çdo fushë futbolli në Evropë të jetë vend i lojës dhe jo i urrejtjes”, përfundon reagimi.

Back to top button