Ademi: Sot kemi përballë një rival shumë të fortë, uroj që shpirti luftarak i djemve tanë të jetë përcaktues

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dërguar një mesazh motivues përpara ndeshjes që Kosova e zhvillon sonte ndaj Suedisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ademi ka thënë se përkushtimi dhe besimi i lojtarëve në emblemën e Kosovës janë forca që e kthejnë çdo sfidë në mundësi.
“Kur përkushtimi i çdo lojtari bashkohet me besimin e palëkundur në emblemën tonë, çdo sfidë kthehet në mundësi. Krenar për djemtë tanë, për energjinë, karakterin dhe përkushtimin që e tregojnë në çdo ndeshje. Kosova po rritet dhe po ecën përpara me zemër e besim, me synimin e arritjes historike. Sot kemi përballë një rival shumë të fortë, por uroj që shpirti luftarak i djemve tanë të jetë përcaktues. Bashkë për Kosovën!”, ka shkruar Ademi. /21Media